Ditë të bukura për atleten Luiza Gega. Pas dyfishimit të pagës nga KOKSH-i, vjen edhe vlerësimi nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili i ka akorduar Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Për talentin, karakterin dhe profesionalizmin e treguar në arritjen e rezultateve të larta në sportin e atletikës në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shpalosur vlera të mëdha si atlete e niveleve botërore, shembull frymëzimi për të gjithë sportistët e rinj e të reja”.
Presidenti Ilir Meta e konsideron Luiza Gegën një atlete të përmasave botërore. “Ajo ka dhënë gjithçka për sportin që dashuron aq shumë, për atletikën. Luiza është një atlete e përmasave botërore. Si sportiste ka thyer rekorde, ka fituar gara të rëndësishme dhe na ka frymëzuar të gjithëve me rezultatet e saj. Serioziteti dhe sakrificat në punën e saj janë themel i sukseseve të shumta. Luiza vazhdon të kontribuojë me performancën e saj jo vetëm në rezultatet e larta kombëtare dhe ndërkombëtare, por me personalitetin e saj është bërë shembull i rritjes së identitetit dhe imazhit tonë kombëtar”, – u shpreh kreu i shteti gjatë fjalës përshëndetëse me këtë rast.
Gega po merr tashmë frytet e punës së saj të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve. Atletja e garave të gjata po përgatitet aktualisht për Lojërat Olimpike të Tokios.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.