Një ish-mësues, në pension prej 18 vitesh, udhëton me kamionçinën e tij, të shndërruar prej vitesh në një bibliotekë mbi rrota plot libra shumëngjyrësh për fëmijë e të rinj, që tashmë të gjithë e njohin si “Bibliokamionçina”. Fshatrat që Antonio viziton, janë zgjedhur mes atyre që nuk kanë librari apo biblioteka dhe në të cilat, më shumë se në vende të tjerë, fëmijët dhe të rinjtë e vendit, mund të kenë nevojë për bibliotekën e tij mbi tri rrota. Kështu, prej 18 vitesh, mësuesi italian çon përpara atë që e ka kthyer në një mision kulturor; të përhapë kudo kulturë dhe libra, mbi të gjitha, aty ku nuk lexohet më apo ku nuk ekzistojnë shërbimet e duhura.
Antonioja rrëfen se ka përshkuar më shumë se 170 mijë kilometra mbi kamionçinë, duke çuar bibliotekën ambulante në shumë fshatra të Italisë së Jugut he thotë, i bindur, se pavarësisht lodhjes, parehatisë dhe moshës së mesme, ato 170 mijë kilometra do i përshkonte sërish. Kur mbërrin në fshatrat e vegjël, zakonisht vizita e tij pritet si një festë, mbi të gjitha sepse Bibliokamionçina mbërrin gjithnjë e shoqëruar nga muzika. Dhe pastaj, sapo shuhet motori, shfaqen fëmijë kureshtarë që nisin të shfletojnë dhe të lexojnë librat.
Nuk mungojnë as ditët e veçanta, në të cilat është vetë Antonioja nis të lexojë dhe të rrëfejë përralla të shkruara në faqet e librave, për fëmijët e fshatit, që i ulen përreth e mbajnë vesh. “Në ngjarjet publike, në manifestimet më të rëndësishme, në kremtimet zyrtare dhe në çdo rast tjetër është aq e këndshme të ndeshesh me rrugë të tjera takimi, shkrirjeje dhe solidariteti mes të mëdhenjve dhe të vegjëlve”, rrëfen mësuesi, ndërsa zbulon edhe qëllimin e aventurave të tij rreth fshatrave të vegjël të Italisë së Jugut: të tërheqë vëmendjen në këtë tablo të largimit gjithnjë e më shumë nga libri, të brezave të rinj, magjepsur dhe joshur gjithnjë e më shumë nga video-lojërat dhe celularët.
Antonio rrëfen se kur ishte i vogël, duke qenë bir i dy fshatarëve, kur shuhej e vetmja llambë në shtëpi, mënyra për të vazhduar leximin ishte të ndizte një qiri. Flaka e atij qiriri nuk u shua kurrë dhe u bë një flakë pasioni për letërsinë dhe rrëfimin. Por cili është çasti më i bukur që arrin ta shpërblejë Antonion për çdo lodhje? Kur fëmijët entuziastë e përqafojnë dhe duke e përshëndetur e pyesin kur do të vijë sërish në fshat. “Askush nuk lind lexues”, thotë në fund Antonio, “por na takon ne prindërve, shkollës, shoqërisë, që t’i bëjë fëmijët tanë lexues sepse me leximin formohen njerëzit e së nesërmes por mbi të gjithë u transmetohet fëmijëve rëndësia e qytetarisë së angazhuar.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.