Futboll

Mesit i propozohet rinovimi në Paris, Barcelona vazhdon të ëndërrojë

Gazeta Si - PSG nuk dëshiron ta humbasë Leo Mesin dhe i ka propozuar rinovimin e kontratës. Argjentinasi firmosi një kontratë 2-vjeçare në gusht të 2021-shit, me opsionin edhe për një vit tjetër. Por deri tani kjo klauzolë nuk është ekzekutuar.

Sipas ‘Cadena Ser’, klubi francez kërkon ta shtyjë bashkëpunimin dhe i ofron 7 herë fituesit të ‘Topit të Artë’ një kontratë deri në vitin 2024, me mundësinë e zgjatjes deri në 2025-ën, kur sulmuesi do të mbushë 38 vjeç.

Lionel Mesi. Gazeta Si, 30 shtator 2022

Kushte ekonomike të kontratës do të jenë me shumë mundësi identike me atë aktuale, 30 milionë euro neto në sezon. Pas një sezoni me oshilacione, Mesi më në fund është kthyer në nivele të larta.
Fillimi i mirë i sezonit me PSG-në është konfirmuar edhe me Argjentinën, që shihet si një nga favoritet për fitimin e Botërorit të Katarit.

Lëvizja e fundit e PSG-së rrezikon të lërë ‘thatë’ Barcelonën, që ëndërron rikthimin e madh, edhe pse zyrtarisht klubi katalanas nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim. Në Katalonjë besojnë se Mesi do të kthehet edhe gratis te Barcelona, por në Paris, me sa duket, nuk janë dakord.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë