Në fushë zbritën dy përfaqësuese, por i gjithë stadiumi ishte i mbushur nga një Komb. Në Zvicër, rezultati kishte pak rëndësi, por ndeshja dha dy mësime të mëdha; një për Kosovën e një për Shqipërinë.
Shqiptarët dhuruan spektakël krejtësisht kuqezi në stadiumin e Zyrihut, ndërsa në fushë pati vetëm një melodi; ajo e Kosovës.
“Fitojmë, barazojmë, apo humbasim, do të duhet të pranojmë atë që jep fusha. Kosova është një ekip me talente, ndërsa Ukraina është shumë e fortë fizikisht. Në këto miqësore doja kundërshtarë të ndryshëm në nivel”, deklaronte trajneri Cristian Panucci para ndeshjes.
Përballja vëllazërore i kishte bërë përshtypje edhe trajnerit të Kosovës, Bernard Challandes.
“Është një ndeshje e veçantë, sepse është brenda familjes. Vëllai i vogël përballë vëllait të madh! Do të luajmë me një skuadër të fortë dhe për ne është shumë e rëndësishme për përgatitjet për Ligën e Kombeve. Shqipëria është me shumë përvojë, ka marrë pjesë në Europian. Ne do të mësojmë shumë në këtë miqësore. Mavraj ndoshta ka më shumë ndeshje ndërkombëtare, sesa e gjithë skuadra ime”, tha Bernard Challandes, në konferencën e tij për shtyp.
Pas përfundimit të ndeshjes, Shqipëria pati më shumë se ç’të mësojë nga Kosova dhe jo Kosova nga Shqipëria. Përfaqësuesja e Challandes dominoi takimin, ishte më e uritur për fitore, më e freskët në fushë dhe u shpërblye me tre gola, dy nga Zeneli dhe një nga Zhegrova.
Panucci testoi në fushë rreshtime të ndryshme në prapavijë, mesfushë dhe sulm. Por në asnjë moment skuadra nuk arriti që të jetë e qartë në fushën e lojës dhe statistikat kokëforta e konfirmojnë këtë. Ishte një nga ndeshjet më të dobëta të kuqezinjëve në këto vitet e fundit, një ndeshje ku gjuajtjen e parë në portë e realizuam vetëm pas minutës së 70.
Trajneri mori përgjegjësitë në fund të takimit.
“Ishim zero. Përgjegjësi jam unë. Sot, të gjitha kritikat janë të drejta. Mund të humbasësh, por jo kështu. Vuajtëm më shumë sot sesa kundër Italisë dhe Spanjës. Mendova se me Kosovën nuk ishte nevoja ta karikoja shumë skuadrën. Marr përgjegjësinë. Ishim shumë të shëmtuar për të menduar se kjo është Shqipëria ime e vërtetë. Jam treguar i butë, por nga sot do të vendos dorë të hekurt”, deklaroi Panucci.
Rreshtimin e trajnerit italian nuk e kuptoi as Arjan Peço, ish-futbollist i Kombëtares, aktualisht trajner i të rinjëve në skuadrën e Bazelit.
“Në skuadër kishte shumë lojtarë që luanin jashtë rolit të tyre, ndërsa mungoi tërësisht qarkullimi i topit në mesin e fushës. Lojtarët e rinj treguan se nuk janë ende gati për të veshur fanellën e Kombëtares. Jam kurioz të di se çfarë sinjalesh mori Panucci sot nga këta lojtarë”, deklaroi ai në përfundim të takimit.
Nga ana tjetër Challandes pak lëvizi në fushë, ndoshta kjo bëri që skuadra të ishte e stabilizuar në lojë.
Në këtë takim, Kosova ishte krejtësisht e shndërruar nga ajo që kishim parë me ish-trajnerin Bunjaki. Një skuadër solide në mbrojtje, kompakte në mesfushë dhe e rrufeshme në sulm dhe mjaft agresive në lojën në krah.
Sigurisht, është shpejt për të folur se deri ku mund të arrijë kjo skuadër, por e sigurtë është që as talentet dhe as dëshira nuk u mungon.
Sa i takon Shqipërisë u provua që eksperimentet e Panuccit dështuan njëri pas tjetrit dhe Kombëtarja duket sikur është kthyer vite pas në kohë, në periudhën kur mungonte ekuilibri në fushë, zhvillonte një lojë kaotike, ta paqartë dhe pa qarkullim topi.
Ndeshja ishte vetëm një miqësore vëllazërore dhe ndoshta është shpejt për të ngritur alarmin, por koha do të provojë nëse nga përballja me Kosovën do të nxjerrim mësim, apo jo dhe prova nis që me sfidën e radhës ndaj Ukrainës për t’u korrigjuar dhe për të qenë gati në shtator, kur nis Liga e Kombeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.