Irena Beqiraj

Mësimet e 6 marsit!


Unë jam ndjekëse e kujdesshme e politikës në vend. E shikoj atë edhe si një eksperiment social, ku njerëzit janë të detyruar në një pikë të shfaqin karakterin e tyre.

Argumentet për t’u rreshtuar në mbrojtje të një kauze mund të jenë të drejta apo të gabuara. Me kohën, kam kuptuar që kjo ka pak rëndësi, sepse çdo bindje apo njohuri është relative. Ajo që ka rëndësi është nëse qëndrimet që njerëzit mbajnë, janë të lidhura me “shtyllën  kurrizore”, me parimet morale edhe padyshim me besimin e tyre.

Padyshim që 6 marsi tregoi se në anë të kujt është elektorati i djathtë, por pyetja që më intrigon është: deputetët edhe përkrahësit e Bashës sot kuptuan që Basha është “përçarësi i partisë, “dështaku që do të fitojë personalisht”, apo kuptuan që nëse vazhdojnë të rrinë në krah të tij, nuk i kanë më votat, të cilat i çuan në parlament, të cilat i paskan pagëzuar me frazën interesante “humbëm dinjitetin”?

Principet me të cilat organizohen edhe funksionojnë partitë, nuk lejojnë asnjë 16-vjeçar të besojë se PD-ja është një aset kombëtar, edhe si e tillë duhej shpëtuar nga anti-amerikanizmi që po lulëzonte brenda saj.

PD-ja, PS-ja edhe asnjë nga 28 diejt e tjerë që rrotullohen në galaktikën tonë politike nuk janë asete kombëtare, por janë grupime vullnetare në të cilat njerëzit mblidhen me vullnet e dëshirë. Si të tilla, ato nuk mund të shpëtohen, nga njerëz apo ndikime të rrymave të gabuara, nëse shumica e grupit nuk “dëshiron të shpëtohet”.

Lideri i grupimit nuk shpëton, edhe nuk ka nevojë të marrë vendime unilaterale në emër të shpëtimit, lideri duhet vetëm të bindë shumicën mbi vendimin më të mirë..

Aset apo vlerë kombëtare në demokraci është pluralizmi, i cili nëse nuk ekziston brenda partive, nuk ka si të ekzistojë jashtë saj në shoqëri.

Së dyti është mbresëlënës “kostumi i anëtarit të privilegjuar” të partisë, i cili u hoqi këtyre anëtarëve ndjeshmërinë karshi mendimit ndryshe. Ndjeshmëri, e cila u aktivizua çuditshëm vetëm kur dolën të tretët në tabelën e KQZ-së, pra kur humbën votën. Ky fakt tregon se në parti këto drejtues janë vetëm edhe vetëm për objektivat e tyre personale, duke fshirë nga formula e vendimmarrjeve të tyre çdo interes të grupimit.

Së treti, kuptuan që populli e ka kuptuar që të jesh pro-amerikan, pro-gjerman, pro-serb, apo edhe anti-amerikan, anti-gjerman apo anti-serb nuk do të thotë që je një alternativë për të qeverisur. Përkundrazi, pas 30 vjetësh shqiptarët e kanë kuptuar që mungesa e ideve, alternativës, i shtyn politikanët apo partitë të veshin kostumet e propagandës pro aleatëve të medhenj, apo kundër armiqve të kombit.

Në 110 vjet shtetformim, ky popull e di që aleatët perëndimorë që nga Austria e Italia në vitet 1920 e deri tek Europa e bashkuar e Amerika e 2022-shit nuk importojnë dot zhvillimin. Marrëdhëniet qëllim-mira bilaterale midis vendeve, janë marrëdhënie konstante interesash.

Thënë këto as qëndrimi që mbajtën prej 9 shtatorit, as kthesa e 7 marsit megjithëse njëri i gabuar e tjetri i drejtë, asnjë nuk lidhet me shtyllën kurrizore, parimet apo besimet.

Por gjithsesi nuk duhen përjashtuar, është në të mirën e demokratëve të bashkohen, por pa harruar parimin që njerëzit e mirë falin njëri-tjetrin, por pa harruar atë që ka ndodhur.


Copyright © Gazeta “Si”