Ingrid Mustafa, bashkëshortja e Endri Mustafës, i ekzekutuar dy ditë më parë në Shkodër, ka mohuar që pas krimit të qëndrojë Ibrahim Liçi, të cilin policia e ka shpallur në kërkim.
Në një dalje për mediat, ajo ka thënë se me familjen Liçi kanë marrëdhënie të mira. Sipas saj, është 15-vjeçari Ergys Malja, i arrestuar nga policia si bashkëpunëtor në krim, që e ka nxjerrë bashkëshortin e saj nga shtëpia, duke i dërguar një mesazh të koduar në telefon.
Ingrid Mustafa thotë se në telefonin e bashkëshortit të saj ka ardhur me mesazh imazhi i një kali, që kishte kuptimin se ai duhej të dilte nga shtëpia dhe të shkonte në zonën e Livadheve, ku më pas ai u gjet i vdekur.
Ajo ka treguar çfarë ndodhi në minutat e fundit kur burri i saj ishte në shtëpi.
"Atë natë ka dalë 10 të darkës. Endri kërkoi të dilte nga banesa dhe më tha më jep një xhakavento. Më tha po shkoj deri në Livadhe dhe po vij për 10 minuta, nuk po vonoj tha. Unë i thashë të lutem mos dil se është natë, por më tha nuk vonoj dhe vij menjëherë, - tregon ajo. - Doli me këtë djalin komshi 15-vjeçarin, ai po e kërkonte që nga mesdita. I kishte bëre disa muhabete 15 vjeçari, por nga që ishte në atë moshë, nuk ia kemi vënë veshin dhe i thashë burrit mos u merr me të, sepse e njihnim çfarë fëmijë është dhe se me kë merrej ai”.
Bashkëshortja e viktimës thekson se ai nuk kishte asnjë konflikt me asnjë dhe se nuk i ka bërë keq askujt.
“As nuk ka pasur kërcënime dhe as nuk ka kërcënuar kënd. Ai 15-vjeçari erdhi për qejf dhe kaq, sepse Endri nuk ka dalë jashtë, sepse nuk kishte besim tek askush. 15-vjeçari i ka thënë burrit që nuk po të shkruaj mesazhe, por dije që kur të dërgoj një fotografi të një kali, dil jashtë. Një djalë 15 vjeç të shprehet ashtu se di, dikush është pas tij, sepse nuk kemi pasur konflikt as me të. Që kjo ka lidhje me Liçët, nuk është e vërtetë dhe unë e kam deklaruar edhe në polici, sepse kemi shkuar shumë mirë", tha ajo.
Sipas saj, policia është duke kërkuar personin e gabuar. “Nuk e ka bërë ai. Nuk kemi pasur kurrë asnjë problem me familjen Liçi. Burri im ka qenë shok me djemtë e tij. Unë e kam thënë edhe në polici, se Ibrahim Liçi nuk ka lidhje me vrasjen. Habitem si e kanë nxjerrë, sepse nuk ka asnjë lidhje dhe jemi 100% te sigurt se nuk ka ndodhur prej djalit të tij. I kemi komshi dhe nuk kemi pasur kurrë asnjë problem me ata", - vijoi ajo.
Ndërkohë, Mustafa Liçi, babai i Ibrahim Liçit, ka mohuar që i biri të ketë lidhje me këtë ngjarje. Për mediat, ai ka thënë se 15-vjeçari Ergys Malja punon për Astmer Bilalin, pjesë e grupit të të cilit ishte edhe viktima Mustafa dhe për grupin Bajri.
“Sot jetojmë në epokën e horrave dhe vagabondëve kriminelë, ordinerë. U dha një lajm mbrëmë dhe u shpall në kërkim Ibrahim Liçi për vrasjen e një komshiut tonë këtu. Bashkëpunëtor i autorit në krim është një fëmijë i mitur me grupin e Astmer Bilalit dhe Bajrit. Punon pastrues i bajgave të kuajve të Astmer Bilalit prej tre vjet. I mituri u ka marrë përsipër të deklarojë një bashkëpunim sikur ka kryer një krim me Ibrahim Liçin. Por Ibrahim Liçi dhe familja jonë, është një familje që qëndron e mbrojtur nga këta kriminelë duke jetuar nën kamera kudo që rrinë, kudo që hanë, kudo që pinë”.
Duke e konsideruar një blof të policisë me dëshmitar të rremë, ai thotë se ka prova që provojnë të kundërtën.
“Ky është një blof i përgatitur nga policia për të cilin mendojnë se do ta realizojnë duke i dhënë prioritet një fëmije, duke e gënjyer se ke mbrojtje dhe do ikësh jashtë, ke dhe kapar. Është blof i radhës që do të dështojë, - shton Mustafa Liçi. - Po ky drejtor policie me datë 17 të muajit të kaluar e ka hequr personin nga kërkimi, kishte dy vjet që e mbante. Tani e shpalli përsëri në kërkim me këtë metodë. I njëjti krim ndodhi në Livadhe vitet e kaluara”.
Ai shtoi se ka qenë për ngushëllime të familja e Endri Mustafës dhe se ata janë të gatshëm të deklarojnë në polici se djali i tij Ibrahim Lici nuk la lidhje me ngjarjen.
“Isha te familja e tyre, u përqafova me dajat, të ëmën dhe xhaxhallarët. Është rritur jetim me nënën. E dimë, thanë Mustafë, kush e vrau dhe na e bëri këtë poshtërsi. Jemi gati të deklarojmë në polici dhe media thanë. Kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera gjithë jetën me ta. Këtë e bëjnë nga frika e vdekjes së tyre, i tremben një njeriu”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.