Kombetarja

Mesazhi i Dukës pas dy humbjeve në miqësore: Vetëm sakrifica na sjell rezultate

Gazeta Si – Ndeshja me Suedinë e përmirësoi disi imazhin e kuqezinjve, pas atij zhgënjimi të madh me Kilin. Megjithatë, mbetet një humbje, që tregon gabimet dhe defektet e skuadrës sonë para një kompeticioni madhor, siç është Europiani.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, me një postim të shkurtër në rrjetet sociale, ka vlerësuar reagimin e Kombëtares në miqësoren e dytë, por gjithashtu ka përcjellë edhe një mesazh për ekipin dhe stafin. Ai ka përmendur sakrificën si një nga elementët që sjell rezultate dhe kjo mund të përkthehet edhe si një ‘tërheqje veshi’ për lojtarët.

Armand Duka, president i FSHF-se. Gazeta Si, 26 mars 2024

“Ndaj Suedisë Kombëtarja bëri një paraqitje më të mirë se sa ndaj Kilit. Impenjimi që treguan lojtarët në fushë ishte i kënaqshëm, mbase duhet të ishim pak më shumë agresivë.

Këto dy ndeshje na kanë shërbyer shumë për të kuptuar se vetëm me punë, impenjim e shumë sakrifica mund të kemi rezultate më të mira dhe të rritemi. Tani duhet të fokusohemi te finalet e Euro 2024, të përgatitemi sa më mirë për të bërë një turne të paharrueshëm”, - shkruan kreu i FSHF-së në faqen e tij në Facebook.

Kombëtarja jonë ka edhe dy teste para Europianit të Gjermanisë. Bëhet fjalë për fjalë për miqësore me kundërshtarë të lehtë në letër, siç janë Lihtenshtejni dhe Azerbajxhani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë