Politike

Mesazhet e Palmer për Tiranën: Kandidatë të pastër, zgjedhje me standarde dhe vijim i reformës në drejtësi

Ka vetëm një devizë nga Departamenti i Shtetit Amerikan. Që përcillet njësoj përmes ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim; Kandidatë të besueshëm, zgjedhje transparente e me standarde, mbështetje dhe vijim i punës së reformës në drejtësi.   

Zv.ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Matthew Palmer konfirmoi as më pak e as më shumë atë që prej kohësh përçon përmes mesazhesh dhe takimesh konkrete Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

E bëri këtë gjatë bisedave online me udhëheqësit e politikës shqiptare, Meta, Rama dhe Basha dhe më pas në një bashkëbisedim me gazetarët e AlUMNI pjesë e programeve të SHBA

“...Folëm për shtimin e marrëdhënieve të sigurisë, rëndësinë e zgjedhjeve për standarde të larta dhe kandidatë të pastër. Rëndësinë e sigurimit  për qytetarët të rezultatit të zgjedhjeve. Ne shpresojmë që në qershor të shohim mbledhjen e parë ndërqeveritare. Duam zgjedhje të suksesshme që pasqyrojnë vullnetin e shqiptarëve”, është shprehur Palmer.

Ai ka mbështetur plotësisht deklaratat e ambasadores amerikane Yuri Kim për kandidatët e zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri.

I pyetur për kandidimin e Tom Doshit, Palmer tha se ambasadorja Kim ka qenë mëse e qartë në deklaratat e saj, se kandidatët duhet të jenë të besueshëm.

“Nuk dua të hyj në detaje. Për të identifikuarit me probleme ne bëjmë kërkimet tona dhe jemi të sigurt. Listat e kandidatëve nuk janë perfekte. E rëndësishme ajo çfarë ka thënë Yuri Kim.

Ata që kandidojnë duhet të jenë të besueshëm. Yuri Kim ka qenë e qartë në deklaratat e saj.

Ka pasur progres në Shqipëri në reformën në drejtësi, por ka ende shumë punë për të bërë. Ne kemi detyrë të jemi të qartë me Shqipërinë. Ne duam një Shqipëri gati për në BE.

Progres është bërë ka shumë për të bërë. Ne duam që njerëz me influence të ndëshkohen. Kjo është llogari dhënia. Po ecet në drejtimin e duhur. Ne duam progres të shtuar dhe me shembuj në këtë fushë. Reforma në drejtësi do të vazhdojë ka ende për të sjellë rezultate”, u shpreh ai.

Në vëmendjen e Departamentit të Shtetit janë edhe qëndrimet e politikanëve shqiptar duke nisur nga kreu i Shtetit.

Jo pa rëndësi, Palmer theksoi gjatë bisedës se po mbahet shënim qëndrimi i çdo politikani.

Ai nënvizoi gjithashtu se qeveria po bën shumë mirë procesin e vaksinimit.

Palmer nuk ndërhyri mbi zgjedhjet që qeveria shqiptare ka bërë për vaksinat.

“Kina dhe Rusia po përdorin një diplomaci tjetër. Edhe Shqipëria po mundohet për popullin e saj. Zgjedhja e vaksinës i takon Shqipërisë. Ne s’ndërhyjmë në politikën e brendshme të vendeve,” tha Palmer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë