Analize

Mesazh nga Brukseli: Pa sundim ligji, nuk ka integrim në BE

Ndërkohë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin me ankth vendimin për hapjen e negociatave, atmosfera dhe perceptimi i përgjithshëm brenda Bashkimit Europian nuk duket të jetë shumë pozitiv.

Në një takim të zhvilluar të hënën në Bruksel, një sërë zyrtarësh të lartë europianë dhe ekspertë të ndryshëm kritikuan Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate në Ballkanin Perëndimor për mungesën e sundimit të ligjit

Eurodeputetët dhe ekspertët diskutuan edhe për pavarësinë e gjyqësorit, si dhe protestat që kanë pushtuar kohët e fundit rajonin, duke deklaruar se qeveria serbe dhe ajo shqiptare përdorin shpesh herë reformat e ndërmarra në kuadër të anëtarësimit në BE kundër opozitës.

Seanca, e organizuar bashkërisht nga Komiteti i Jashtëm i PE dhe Komiteti i Lirive Civile shqyrtoi përparimin e bërë nga Tirana dhe Shkupi si dhe sfidat me të cilat përballen të gjitha vendet kandidate në përmbushjen e kritereve themelore të BE.

Eurodeputetët deklaruan se Shqipëria, Republika e Maqedonisë së Verit, Mali i Zi dhe Serbia përballen me sfida të konsiderueshme në përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit dhe se monitorimi i tyre pas pranimit në BE mund të jetë e vështirë.

Christian Danielsson

Christian Danielsson, Drejtori i Përgjithshëm për Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian theksoi se të gjitha vendet e Ballkanit kanë probleme me sundimit të ligjit, duke argumentuar se kjo është edhe arsyeja pse shumë qytetarë zgjedhin të largohen në drejtim të vendeve europiane.

“Në mesin e qytetarëve të këtyre vendeve ka një dëshirë të madhe për të jetuar në vendet europiane, të cilat njihen për sundimin e ligjit dhe vlerave të tjera demokratike”, tha Danielsson. “Edhe pse ka pasur një përmirësim të ndjeshëm, kohët e fundit i gjithë rajoni është kapluar nga stagnimi”, shtoi ai.

Ndërkohë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndodhen vetëm disa muaj para vendimit për hapjen e negociatave, Drejtori i Përgjithshëm për Negociatat e Zgjerimit nuk është pozitiv për sa i përket kësaj perspektive. Danielsson konfirmoi frikën e shumë ekspertëve në Shkup dhe Tiranë, duke deklaruar se disa vende anëtare janë kundër anëtarësimit të vendeve të reja.

“Shumë vende që dëshirojnë të bashkohen me BE-në janë larg arritjes së kritereve. Disa prej vendeve anëtar kanë kundërshtime”, u shpreh zyrtari i lartë europian. Ai theksoi po ashtu se që nga viti 2015, Komisioni Europian ka aplikuar metodologji të reja që matin progresin e bëra nga vendet kandidate, duke pasur transparencë më të madhe për arritjen dhe mangësitë e të gjithave vendeve të rajonit.

Nga ana tjetër, Presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio ngriti shqetësimin se ka shumë raste kur politikanët e vendeve kandidate, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, sulmojnë gjykatat dhe institucionet e drejtësisë kur nuk u pëlqen verdikti i tyre.

Gianni Buquicchio, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta

“Në veçanti Gjykatat Kushtetuese duhet të jenë të pavarura”, deklaroi ai. “Kjo pavarësi është e rëndësishme për gjykatat kushtetuese sepse janë ato që duhet të bëjnë një balancë mes shumicës dhe pakicës dhe janë të rëndësishme për mbrojtjen e sundimit të ligjit në shumicën e vendeve kandidate. Politikanët sulmojnë vazhdimisht këto gjykata kur nuk u pëlqejnë gjykimi”, deklaroi ai.

Presidenti i Komisionit të Venecias i bëri thirrje Bashkimit Europian për gjetjen e një qasjeje me të sofistikuar, duke thënë se Brukseli duhet të gjejë një ekuilibër mes standardeve ndërkombëtare dhe situatës se vendeve kandidate. Sipas tij, sundimi i ligjit do të jetë elementi kyç jo vetëm për hapjen e negociatave por edhe pranimin në BE.

“Mendoj se sundimi i ligjit duhet të jetë një element kyç për të vendosur nëse një vend do të pranohet si pjesë e BE. Nga njëra anë, BE duhet të bëjë më shumë presion për ndëmarrjen e reformave në vendet kandidate, dhe nga ana tjetër, perspektiva e anëtarësimit duhet të mbetet e besueshme. Vendet kandidate duhet të reformojnë sistemin e drejtësisë jo vetëm për procesin e pranimit në BE, por edhe për përfitimet e popullit të tyre”, përfundoi Buquicchio.

Vala e protestave që ka pushtuar së fundmi Serbinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi duket se ka ndikuar në opinionet e shumë ekspertëve për perspektivën europiane të të tria vendeve.

Naim Rashiti

Marko Kmezić, ekspert nga Qendra për Studime Evropiane i bëri thirrje Komisionit Europian që të rriste presionin ndaj udhëheqësve të vendeve kandidate dhe t’i kushtonte më shumë rëndësi shoqërisë civile, të cilën e konsideron si partnerin kyç të BE-së.

“Duhet të rritet presioni ndaj udhëheqësve politikë në Ballkan. Shoqëria civile duhet të jetë partneri kryesor i BE-së për të montuat sjelljen e udhëheqësve politikë dhe sundimin e ligjit. Protestat e fundit tregojnë se Komisioni Europian ka nevojë të përqendrohet tek mungesa e demokracisë “, deklaroi Kmezić.

Shqiptari i vetëm në këtë takim ishte Naim Rashiti, Drejtori Ekzekutiv i Grupit të Kërkimeve të Politikave Ballkanase në Prishtinë, i cili shpjegoi se ka një hendek të madh mes përparimit të reformave që BE-ja mendon se është arritur në vendet kandidate dhe përparimit që ka ndodhur në të vërtetë. Sipas tij, si në Tiranë ashtu edhe në Beograd, qeveria po përdor reformat e BE-së kundër opozitës.

Serbia përballet me kushtet më të rënda të lirisë së medias, sundimit të ligjit dhe nivelit të demokracisë. Duket se Beogradi është kthyer në periudhën e viteve ’90. Sa më shumë kapituj për anëtarësimin në BE hapen në Serbi, aq më pak demokraci ka në terren. Ashtu si në Serbi, edhe qeveria në Shqipëri përdor edhe reformat dhe agjendën e paparimit drejt BE-së kundër opozitës.

 

Më Shumë