Futboll

Mesazh i fortë anti-racizëm, Inter me 10 mijë fëmijë në stadium

Mesazh i qartë kundër diskriminimit, racizmit dhe dhunës në stadiumet e Italisë: 10 mijë fëmijë në “San Siro” për ndeshjen Inter-Sasuolo, që luhet ditën e shtunë. Iniciativa është e klubit të Interit, që pas episodeve të ndodhura në ndeshjen ndaj Napolit më 26 dhjetor (i kushtuan Interit dy ndeshje pa tifozë), ka dashur të japë një sinjal të fortë për këtë çështje. Në ndeshjen me Sasuolon, për të mbushur tribunat e “San Siros”, të mbetura bosh në ndeshjen e kupës me Beneventon, do të jenë më shumë se 10 mijë fëmijë.

Një mesazh shprese dhe ndryshimi nga Interi, me fëmijët e shkollës zikaltër, që do të hapin portat e stadiumit ditën e shtunë. Lajmi është publikuar në faqen zyrtare të klubit zikaltër, ku shkruhet: "Për ndeshjen Inter-Sasuolo, e vlefshme për javën e 20-të të Serisë A dhe që luhet më 19 janar, stadiumi 'Meazza' do të presë më shumë se 10 mijë fëmijë. Për të dhënë një sinjal të fortë kundër çdo forme diskriminimi dhe dhune, në stadium do të jenë fëmijët, djem edhe vajza të qendrës së formimit zikaltër “Inter Grassroots Program” dhe të shkollave të Milanos, që i janë bashkuar iniciativës sonë. Në shkallët e stadiumit, për të mbështetur skuadrën tonë, do të jenë edhe fëmijë të projektit 'Unë bëj tifo pozitivisht', për t’u dhënë kuptim vlerave si respekti reciprok dhe toleranca”.


Në stadium do të jetë i pranishëm edhe tifozi i vogël skocez, Maks Donagei, historia e të cilit ka bërë xhiron e botës ditët e fundit. Babai i kishte bërë dhuratë një udhëtim në Milano dhe një ndeshje të Interit, që i takoi të ishte pikërisht kjo e së shtunës me Sasuolonl; ndeshje e cila pas dënimit të gjykatësit sportiv në Itali duhet të luhet pa tifozë. Babai i djaloshit bëri apel për ndihmë dhe ishte ndërhyrja direkte e ministrit të edukimit dhe sporteve, Marko Buseti, i cili e zgjidhi problemin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë