Futboll

Mes dhunës dhe kaosit, Partizani mund Flamurtarin

Mes dhunës nga shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe një situate kaotike që zbriti në fushën e lojës, Partizani ka mposhtur Flamurtarin në shifrat 3-1, duke u shkëputur në krye të klasifikimit. Në një ndeshje që do duhej të ishte reklamë për futbollin shqiptar, dhuna ka zbritur sërish në fushë, pasi tifozët ultras të Partizanit kanë sulmuar futbollistët vlonjatë dhe do të duhej ndërhyrja e forcave të rendit që situata të mos përshkallëzohej.

Përballë një Flamurtari të gjymtuar me 7 lojtarë titullarë të larguar, Partizani zbriti në fushë me formacionin më të mirë të mundshëm. Në një pjesë të parë ku Partizani dominoi dhe kaloi i pari në avantazh, por Flamurtari u tregua oportunist dhe barazoi, momenti kulmor ishte në minutën e 41’. Andi Ribaj që shënoi golin e barazimit për vlonjatët dhe rifuti në lojë ekipin e tij. Pas këtij goli ka ndodhur edhe episodi i dhunës, teksa disa tifozë të Partizanit hynë në fushë dhe sulmuan fotografin dhe futbollistët e Flamurtarin, teksa këta të fundit pozonin në foton e tyre tradicionale. Pati edhe një konfrontim mes një tifozi dhe sulmuesit të Flamurtrit, Andi Ribaj, i cili u ndëshkua me karton të kuq. Me ndërhyrjen e policisë dhe të kapitenit të Partizanit, Alban Hoxha tifozët u nxorën nga fusha. Momenti kritik kaloi edhe pse trazirat dhe kaosi do të vijonte në shkallët e stadiumit me mbështetësit e Partizanit që ishin të revoltuar.

Partizani pjesën e dytë e nisi me vrull në kërkim të golit të avantazhit. Gega do të ndërhynte me zëvendësimet, duke hedhur në fushë Rubin Hebajn që rezultoi vendimtar. Sulmuesi shkodran shënoi dopietën e dytë për këtë kampionat brenda 5 minutash. Në fillim kaloi në avantazh në minutën e 68’, duke shtyrë në rrjetë topin e devijuar nga Koliçi dhe më pas në të 82-ën dyfishon avantazhin, duke hipotekuar këtë triumf për Partizanin. Edhe në minutat pas golit të tretë, Partizani nuk e uli ritmit dhe kërkoi të shënonte sërish, duke mos i dhënë kështu mundësinë Flamurtarit që të rrezikonte.

Duke përfituar nga humbja e Teutës në Gjirokastër, Partizani ka mundësinë që të shkojnë në 10 pikë diferencë nga vendi i dytë nëse Kukësi nuk arrin të fitojë nesër përballë Kamzës. Kjo fitore e Partizanit zbehet jo pak nga dhuna që pushtoi stadiumin dhe pritet që ndëshkimi të jetë i rëndë për “të kuqtë” me disa ndeshje pezullim të tifozëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë