Futboll

Merrni trajnerin e duhur, ose largohem! Ronaldo ka përplasje me Rangnik te Mançesteri

Sipas lajmeve të publikuara nga disa tabloidë anglezë, raporti mes yllit portugez dhe trajnerit gjerman nuk është aspak i mirë. Kristiano Ronaldo ka kërkuar qartësi nga klubi për trajnerin e ardhshëm dhe ka kërcënuar me largim, nëse qëndron Rangnik.

Ronaldo mund të largohet nga Mançester Junajtid në fund të sezonit. Pavarësisht paraqitjeve të mira, me 14 gola dhe 3 asiste në 21 ndeshje, ai po vlerëson largimin në verë, siç shkruajnë tabloidët anglezë, për shkak të raportit të vështirë me trajnerin Ralf Rangnik. Kontrata e portugezit skadon në vitin 2023, por Ronaldo ka kërkuar informacion nga klubi për trajnerin e ri, duke e bërë të qartë se duhet të ketë pëlqimin e tij.

Faqja e pare e "Mirror Sport". Gazeta Si, 7 janar 2022

“Merrni trajnerin e duhur, ose unë jam jashtë”. Ky është titulli i faqes së parë të “Mirror Sport”, por edhe “Daily Mail” dhe “Star Sport” duket se konfirmojnë zërat se Ronaldo nuk ka një marrëdhënie të mirë me Rangnik dhe bashkëjetesa mes të dyve po bëhet më e vështirë nga sa mund të ishte parashikuar. Kjo situatë ka shtuar presionin tek administratori i deleguar, Riçard Arnold, i cili duhet të zgjedhë trajnerin e ri.

Rangnik ka marrë detyrën e trajnerit të përkohshëm në nëntor dhe sezonin e ri duhet të marrë rolin e “Senior Football Advisor” në “Old Trafford”, me një kontratë dyvjeçare, kështu që nuk mund të jetë më në stol, çka do të favorizonte Ronaldon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë