Futboll

Merret vendimi, “San Siro” mbushet me fëmijë për ndeshjen e Inter

Ndeshja Inter-Sasuolo e vlefshme për javën e 20-të të Serisë A më 19 janar do të luhet me fëmijë. Pas kërkesës së klubit ziklaltër ka ardhur vendimi i Federatës Italiane të Futbollit dhe i Ligës, të cilat e kanë aprovuar që stadiumi “San Siro” të mbushet me fëmijë.
Pas koreve raciste të tifozëve të Inter kundër mbrojtësit të Napolit, Kulibali, FIGC vendosi që stadiumi “San Siro” të mbyllej për tre ndeshje në shtëpi për Inter. Drejtuesit e klubit milanez vendosën që mos ta apelonin këtë vendim të FIGC. Por Inter pati një tjetër kërkesë për drejtuesit e Federatës dhe të Ligës, që ndeshja të luhej me pjesëmarrjen e fëmijëve në stadium.

Do të jenë fëmijë nga shkollat e Milanos dhe të kampuseve të Inter në të gjithë Italinë që do të futen në stadium pa biletë. Ky akt që nga Inter u argumentua si një mesazh kundër racizmit, i ka gjetur në të njëjtën mendim edhe drejtuesit e Federatës dhe Ligës së Serisë A. Presidenti i Ligës, Gravina, duke folur për mediet italiane tha se vendimi do të merret nga bordi brenda shumë pak ditësh.

Pas kësaj vendimmarrje, Inter ka nisur punën që të pajisë me bileta të gjithë nxënësit e shkollave fillore të Milanos, për ata që do të kenë dëshirë dhe mundësi që ta ndjekin këtë ndeshje nga shkallët e “San Siro”. Në ditët kur ndodhi incidenti për mbrojtësin e Napolit nga mediet dhe ministri i brendshëm italian, Mateo Salvini u diskutua edhe për mbylljen e stadiumeve të Serisë A për disa ndeshje, si një masë ekstreme në luftën kundër racizimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë