Futboll

Merr fund pritja 26-vjeçare, Partizani kampion i Shqipërisë

Një fitore në derbi që ka shijuar më shumë se kurrë. 26 vite pritje dhe më fund Partizani është shpallur kampion i Superligës Shqiptare. Një super Erald Çinari dhe një tifozeri fantastike janë bërë bashkë për të festuar këtë trofe kaq shumë të munguar dhe të dëshiruar në shtëpinë  e “demave”. Me këtë triumf 2-1, Partizani ka siguruar matematikisht titullin kampion 3 javë para fundit.

Një pjesë e parë e loja kishte një ritëm të lartë që në minutat e saj të fillimit. Më çlirët ishte Tirana, që arriti të shkojë në portën e Alban Hoxhës dy herë rrezikshëm, por pa mundur dot të jetë konkret. Me kalimin e minutave, Partizani e mori veten dhe filloi të zbresë rrezikshëm në portën bardheblu. Pas këtyre minutave të mira për djemtë e Gegës do të vinte dhe goli. Ishte shkodrani, Erald Çinari, që çoi topin në rrjetë për të shpërthyer festën në shkallët e “Selman Stërmasit”. Futbollisti i Partizanit pasi mori topin në krahun e djathtë dhe me një gjuajtje të fort nga jashtë zonës gjeti të papërgatitur portierin Abibi.

Pas këtij goli Partizani fillon të imponohen ndaj Tiranës. Por bardheblutë do të gjenin forca për të reaguar pikërisht në momentin më të mirë të Partizanit. Ishte minuta e 41’. Kur Berdi Greca pushoi festën e tifozëve të Partizanit në “Selman Stërmasi”. Mesfushori gjen një korridor në zonën e Partizanit dhe më pas mposht Hoxhën. Pjesa e parë do të mbyllej në barazim 1-1.

Në fraksionin e dytë të këtij derbi ritmi nuk kishte shumë ndryshime nga 45 minutat e para. Sulme nga të dyja krahët, por pa saktësinë e duhur dhe pa krijuar rrezik në portën e Abibit dhe Hoxhës. Pas disa aksioneve të dështuara për Partizanin del në skenë sërish heroi Çinari. Sulmuesi shkodran tundi rrjetën e 72’ duke i dhënë Partizanit titullin kampion pas dy dekadash e gjysmë mungesë. Deri në fund ndeshja pati emocione të shumta dhe lojtarët në disa çaste e treguan presionin e madh që po mbartinin ato minuta.

Në fund vërshllima e arbitrit sinjalizoi festën për Partizanin që bëri bashkë tifozët, lojtarët dhe drejtuesit. Nga ana tjetër për Tiranën vetëm trishtim, pasi tani shikon t’i rrezikohet shumë qëndrimi në Superligë sezonin e ardhshëm.

Formacionet e ekipeve sot:

Partizani: Hoxha – Ibrahimi, Belica, Rexhepi, Trashi – Hila, Atanda – Mala, Duka, Çinari – Bardhi. Trajner: Skënder Gega

Tirana: Abibi – Daja, Turtulli, Imami, Hoxhallari – Maveje – Doka, Kobina, Hasani, Greca – Ngo. Trajner: Ardian Mema.

Në ndeshjet e tjera të kësaj jave të Superligës, Kukësi është mundur në Gjirokastër nga Luftëtari 3-2 që ka hedhur kështu një hap të sigurt drejt qëndrimit në Superligë edhe për vitin e ardhshëm. Flamurtari u mund 2-0 nga Kastrioti që vijon të shpresojë për të mbijetuar, ndërsa Skënderbeu u mposht nga Teuta që afrohet me Europën.

Pak histori për Partizanin

Partizani është fitues i kampionatit shqiptar të futbollit 16 herë bashkë me këtë titull të fituar në sezonin 2018-19. I themeluar më 4 shkurt të vitit 1946 në Tiranë si klub përfaqësues i partizanëve që luftuan në Luftën e Dytë Botërore klubi fillimisht mbajti emrin “Ushtria”. Më 7 prill 1946 skuadra paraqitet për herë të parë me emrin Partizani dhe nis rivalitetin me Tiranën kampione me një fitore 2-0.  Më 1947 Partizani debuton në ligën e parë të futbollit shqiptar dhe menjëherë fiton titullin. I cilësuar si ekipi me më shumë tifozë në Shqipëri, Partizani do duhej të priste më shumë se 26 vite për të ngritur sërish trofeun e kampionit të Superligës Shqiptare. Fanellën e Partizanit ndër vite e kanë veshur disa prej futbollistëve më të mirë shqiptarë ndër vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë