Politike

Merr fund ngërçi, PS voton Arben Shehun në krye të KLSH-së

Arben Shehu është kreu i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kandidatura e katërt e Presidentit Ilir Meta mori votat e mazhorancës dhe të opozitës parlamentare, duke u miratuar me 108 kartonë pro dhe vetëm 5 kundër dhe duke i dhënë fund mandatit të tejzgjatur të Bujar Leskajt në krye të këtij institucioni.

Shehu kaloi më 23 qershor filtrin e Komisionit të Ekonomisë, ku kishin ngecur më herët kandidaturat e Ilir Metës . Në mbledhjen e zhvilluar online votuan 18 anëtarë të këtij Komisionit, nga ku 15 votuan pro, 2 votuan kundër dhe 1 abstenim.

Por pavarësisht votës dërrmuese pro, dyshimet për kualifikimin e Shehut nuk munguan në mbledhjen e Komisionit. Deputetja e opozitës, Edlira Hyseni kërkoi të informohej nga kandidati për kryetar KLSH-je se si u përfshi në garën për të drejtuar këtë institucion. Hyseni, që mori mandatin nën siglën e LSI-së pas largimit në grup të opozitës vitin e kaluar, vuri gjithashtu në pikëpyetje nëse kandidati i paraqitur nga Presidenti Ilir Meta për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit plotëson kriterin ligjor të 10 viteve përvojë në fushën e financave.

“A keni drejtuar ndonjë institucion apo agjenci shtetërore? Në bazë të ligjit të KLSH-së, kandidati për kryetar të KLSH-së duhet të ketë 10 vite punë përvojë në fushën financiare. Në CV-në tuaj nuk e gjeta këtë informacion, apo kusht të plotësuar. Në CV-në tuaj pashë një seri të gjatë publikimesh, por nuk pashë përvojën tuaj në fushën e financës dhe auditimit. Përvoja në këtë fushë është primare. Shoh në CV-në tuaj se diploma për studimet ekonomike në Faktuletin e Ekonomisë në Vlorë, part time, data e regjistrimit ishte në 2005 dhe e keni përfunduar në 2018, 13 vite për të studiuar në ekonomi? Unë nuk di nëse keni përvojë, apo formim në lidhjen me auditimin, që t’u pyesja në lidhje me auditimet”, u shpreh Hyseni.

Në lidhje me përfshirjen në garë, Arben Shehu u përgjigj duke deklaruar se kishte aplikuar tek Presidenti duke iu referuar komunikimeve publike të Kuvendit dhe Presidencës, ndërsa shpjegoi edhe vonesën e diplomimit në ekonomik. Ai tha se përmbush kushtin e 10 viteve punë në fushën e financave, pasi e ka ushtruar këtë aktivitet në sektorin privat.

“Kam përfunduar në mënyrë të pandërprerë Fakultetin e Drejtësisë së Tiranës, masterin dhe doktoraturën dhe kam filluar studimin për ekonominë në Fakultetin e Ekonomisë që e kam ndërprerë për shkak të angazhimit të madh në Fakultetin e Drejtësisë dhe në avokati, ku kam punuar në vazhdimësi. Në 3 vitet e fundit e kam rifilluar dhe kam përfunduar studimet Bachelor dhe po vazhdoj Masterin për Financë. Në planin teorik mendoj se këto janë të qarta. Në planin praktik kam punuar për më shumë se 10 vite në shoqëritë tregtare, që i kam pasqyruar me aktet përkatëse nga ana e tyre për të pasqyruar punën time dhe një vlerësim nga ana e tyre për aq sa është e mundur”, u shpreh Shehu.

Në platformën dhe vizionin e tij për drejtimin e KLSH-së, kandidati Shehu tha se do të përqëndrohej tek puna parandaluese dhe jo ndëshkimore.

“Do të angazhohem maksimalisht me të gjitha institucionet në kuadër të parandalimit dhe jo të ndëshkimit. Synimi im është shmangia e klimës së ndëshkimeve. Bashkëpunimi duhet të jetë në praktikë dhe jo në teori për të parandaluar të gjitha problematikat në shkelje të ligjit në këtë drejtim”, u shpreh Shehu.

Presidenti Ilir Meta depozitoi emrin e Arben Shehut në Kuvend në fillim të muajit qershor.

“Dr. Arben Shehu, si njohës shumë i mirë i legjislacionit, me njohuritë dhe certifikimet në fushën ekonomike dhe përvojën akademike e profesionale mbi 16-vjeçare, vlerësohet kandidat i përshtatshëm për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një institucion që ka nevojë për një qasje të re në ushtrimin e funksioneve për kontrollin e përdorimit të pasurisë publike dhe vënien para përgjegjësisë të abuzuesve me to…”, thuhet në dekretin e Presidentit.

Arben Shehu është diplomuar “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, ka përfunduar Master në Shkenca Penale Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, ka gradë shkencore “Doktor i Shkencave Ligjore” në fushën e krimit të organizuar dhe legjislacionit ndërkombëtar. Është diplomuar gjithashtu edhe për Administrim Biznes. Prej vitit 2004 e në vazhdim ai ka punuar Pedagog pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë