Futboll

Merr fund kriza te Inter, Ikardi rikthehet në fushë

Një nga telenovelat më të gjata të këtij sezoni duket se po shkon drejt mbylljes. Mauro Ikardi do të rikthehet në fushën e lojës me Interin, duke filluar që nga stërvitja e ditës së enjte. Lajmi bëhet i ditur nga mediet italiane, të cilat shkruajnë se sulmuesi argjentinas ka komunikuar me trajnerin Spaleti dhe së tashmë ndjehet gati për t’u rikthyer në fushë. I pari që publikoi lajmin e bujshëm ishte portali sportiv italian, “Sportmediaset”, që ka veçuar faktin se gjatë kësaj kohe Ikardi do mund të përshtatet më lehtë me grupin, duke qenë se jo të gjithë futbollistët e tjerë do të jenë në qendrën stërvitore zikaltër, pasi kanë shkuar me kombëtaret e tyre.

Bëhet me dije se lëndimi i Ikardit në gju tashmë është një histori e kaluar dhe së ditën e enjte para se të nisë stërvitjen, Ikardi do të zhvillojë një bisedë me trajnerin Spaleti. Sulmuesi argjentinas pritet të përgatitet në qetësi këto ditë, për të qenë gati për ndeshjen vendimtare të Interit fundjavën e ardhshme, ku zikaltërit do të përballen me Lacion, një rival direkt për luftën e zonës Champions. Mauro Ikardi nuk ka zbritur në fushën e lojës dhe stërvitje që prej datës 13, kur Interi vendosi heqjen e shiritit të kapitenit, për t’ia kaluar atë portierit Samir Handanovic.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë