Futboll

Merr formë Tirana e re e Memës, fillon faza përgatitore

Nga dje zyrtarisht ka filluar të marrë formë Tirana e re e Ardian Memës. 10 korriku shënon startin e një etape të re për Tiranën që kërkon të hedhë pas krahëve këto vite të mbushura me dështime të njëpasnjëshme dhe me njollën e zezë, rënien nga kategoria. Me në krye një “çun shtëpie”, si Ardian Mema, bardheblutë do të tentojnë këtë vit që të rikthehen rivalizues për kreun e tabelës. Partizani i turpëroi sezonin që shkoi duke e marrë titullin pikërisht në derbi dhe te Tirana duket se janë lodhur tashmë me këtë situatë dhe sezoni i ri do duhet t’i shikojë në mesin e të parëve të kampionatit.

Në mbështetje të këtij synimi edhe merkato e Tiranës këtë verë ka qenë e paprecedentë. Janë bërë shpenzime të mëdha, duke afruar disa nga lojtarët më të spikatur të Superligës, të huaj dhe shqiptarë. Elton Kale, Agustin Torasa, Idriz Batha, Karriqi, Edvan Bakaj, Ismael Dunga dhe disa rinovime të lojtarëve bazë nga sezoni i shkuar kanë filluar t’i japin formë Tiranës së sezonit të ri. Por jo vetëm kaq, pasi në ditët në vijim priten të tjera afrime në kampin bardheblu. Dy afrimet më të mëdha të 24 herë kampionëve pritet të jenë sulmuesi kryesor i dy viteve të fundit, anglezi Majkëll Ngo dhe mbrojtësi veteran, Tefik Osmani. Të dy kërkohen nga Mema për shkak të eksperiencës që bartin, por edhe forcës fizike që mund t’i japin ekipit në momente të caktuara.

Formacioni i mundshem i Tiranes per sezonin e ri

Me këto afrime, Tirana e re e Ardian Memës pritet të rreshtohet me një formacion 4-2-3-1, ku në portë besohet se do të jetë sërish veterani Ilion Lika. Në mbrojtje, ku duket se bardheblutë kanë më shumë nevojë për ndërhyrje, Doka pritet të jetë titullar në krahun e majtë, në qendër Imami dhe Osmanin dhe në të djathtën pritet të luaj njëri mes Kërçikut dhe Hoxhallarit. Në qendër të mesfushës titullar pritet të jenë Batha dhe Daja, ndërsa tresha para do të ketë shumë fantazi. Elton Kale, Agustin Torasa dhe Edon Hasani do të jenë në mbështetje të njërit prej Majkëll Ngosë ose Ismael Dunga.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë