Futboll

Merkato trajnerësh, italianët përgatiten për revolucion

Eliminimi i Juventusit nga Ajaksi në çerekfinale dhe largimi i mundshëm i Napolit nga Europa League mbrëmjen e sotme përbën një momentet më të këqija në historinë e futbollit Italian. Tani të gjithë janë në një mendje se futbolli Italian duhet të ndryshojë. Ky revolucion që po përgatitet dhe mund të përfshijë të gjitha klubet kryesore italiane me shumë gjasa do të nisë nga stoli i trajnerëve. Juventus, Milan, Inter dhe Roma në këtë merkato vere më shumë mundësi do e ndryshojnë trajnerin, si një tentativë për të bërë diçka ndryshe me synim suksesin europian.

Te Juventus largimi edhe këtë edicion “thatë” nga Champions League ishte një dështim i madh. Një ekip që ishte projektuar për të fituar trofeun “veshgjatë” nuk ia doli që të ndjekë liderin Ronaldo, që nga ana e tij bëri gjithçka mundi, por pa sukses. “Viktima” e parë e këtij dështimi të radhës te Juventus pritet të jetë Masimo Alegri. Trajneri livornez ka fituar çdo gjë në Itali me Juventusin, duke thyer rekord pas rekordi, por të gjitha këto nuk kanë vlerë pasi në Champions League ka dështime të njëpasnjëshme. Te drejtuesit e Juventus kanë filluar të dalin emrat e parë që do të mund të merrnin drejtimin e ekipit për sezonin e ardhshëm. Antonio Konte është më favoriti, por edhe emra si Guardiola apo Deshamps që janë më pak të mundshëm për momentin.

Por edhe Antonio Konte nuk është lehtë i arritshëm nga Juventus, së pari për shkak të marrëdhënieve që ka me presidentin Anjeli, por edhe për shkak se në gjurmët e tij është Interi. Zikaltërit nga ana tjetër nuk janë të kënaqur me mënyrën se si Spaleti ka menaxhuar krizën me Ikardin e Perisiç dhe me shumë gjasa pritet të ketë një divorc mes palëve në muajin qershor. Por përveç Kontes në radarët e drejtuesve të Interit është edhe një dashuri e vjetër si Hoze Murinjo, me portugezit që prej disa muajsh pa punë.

Trajnerin pritet ta ndryshojë edhe Milan këtë verë. Kuqezinjtë janë shumë pranë kualifikimit për në Ligën e Kampionëve dhe nga kjo gjë pritet të varen shumë gjëra në kampin e Milan. Gatuzo gëzon besimin e drejtuesve, por nëse dëshiron të qëndrojë në krye të pankinës kuqezi duhet të jetë me çdo kusht në mesin e katër vendeve të para. Por edhe ky objektiv mund ta largonte sërish nga Milan, pasi Konte, dhe disa emra të tjera janë në pritje për të marrë drejtimin e “djallit”. Por edhe Roma pritet të ndryshojë trajnerin këtë merkato dhe të nis një projekt të ri. Di Françesko e humbi kontrollin e ekipit dhe Ranieri shikohet vetëm si i përkohshëm deri në mbylljen këtij sezoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë