Drejtuesit e Çelsit janë në përpjekje të vazhdueshme për të bindur Antonio Rudigerin të rinovojë, por në këto tratativa klubi londinez po bezdiset edhe nga Bajerni i Mynihut, që kërkon mbrojtësin e kombëtares gjermane.
Rudiger është një nga mbrojtësit më të mirë momentalisht në Premier Ligë dhe përveç Realit, që ka shfaqur interes kohët e fundit, për të është futur në lojë edhe Bajerni. Në anën tjetër, bavarezët mund të humbasin Niklas Zyle, që ka përfunduar në shënjestërn e Barcelonës. Mbrojtësit gjerman i skadon kontrata në qershor dhe katalanasit mund ta rrëmbejnë me parametra zero.

Janë të pakta mundësitë që Zyle të rinovojë me Bajernin dhe Barcelona po ndjek me vëmendje situatën. Vetë gjermani duket se preferon Premier Ligën si destinacion të ardhshëm për karrierën e tij, por kur bëhet djalë për një klub si Barcelona, sigurisht që gjërat ndryshojnë.
Bavarezët humbën Alabën verën e kaluar, kur lojtari austriak kaloi te Reali me parametra zero. Tani rrezikojnë të njëjtën gjë edhe me Zylen, 26-vjeçarin që mund t’i bëjë punë Barcelonës. Klubi katalanas, me probleme ekonomike, kërkon të shfrytëzojë këtë mundësi për të marrë një lojtar me përvojë dhe kualitet pa paguar për kartonin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.