Kombetarja

Merkato kuqezi, Selmani dhe Balaj zyrtarizohen te ekipet e reja

Ka vijuar të jetë shumë pozitive merkato për futbollistët e kombëtares shqiptare. Të radhës, që kanë gjetur ekipet e tyre të reja janë sulmuesi Bekim Balaj dhe portieri, Gentian Selmani. Sulmuesi shkodran pas largimit nga Rusia do e vazhdojë karrierën e tij në Austri me Strum Graz. Ndërsa gardiani laçian do të lërë kampionatin shqiptar pas 4 vitesh dhe do të vijojë karrierën e tij në Ligën e dytë të Turqisë, me Menemenspor.

Për Bekim Balaj, kalimi te Strum Graz është konkretizuar ditën e djeshme dhe është bërë i ditur për mediet nga menaxheri i tij, Shkumbin Qeromemeti. Nuk ka shumë detaje për kontratën e Balajt në Austri, por ky kalim përbën një rikthim për të në Europë, pas një aventurë 3-vjeçare në Superligën ruse me Akhmat Grozhni. Vetë Balaj në rrjetet sociale është shprehur shumë i lumtur për këtë transferim dhe mezi pret që të zbresë në fushë dhe të jap më të mirën e tij.

Ndërkohë për Gentian Selmanin, kalimi te Menemenspor ishte hapi i madh në karrierë që të gjthë ishin duke e pritur. Për katër vite, Selmani ishte një garanci në portën e Laçit, duke qenë një portier i parë i padiskutueshëm. Për më tepër ishte kapiten i Laçit për tre vite, duke luajtur në Kupat e Europës dhe fitoi një Kupë Shqipërie. Menemenspor luan në kategorinë e dytë në Turqi, por këtë verë ka investuar shumë dhe synon që të ngjitet në elitë dhe Selami shikohet si një nga elementët më të vlefshëm.

Pas këtyre dy transferimeve, të gjithë janë në pritje të ekipit të ri të Elseid Hysaj. Shkodrani është emri më i përfolur në këtë merkato vere, i kërkuar nga disa ekipe, por që ende nuk është vendosur se ku do të shkojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë