Kombetarja

Merkato kuqezi, Mihaj pranë firmës me PAOK, Latifi drejt Moldavisë

Dy emrat e futbollistëve të kombëtares shqiptare më të përfolur në merkato pas Elseid Hysajt, janë Enea Mihaj dhe Liridon Latifi. Një sulmues dhe tjetri mbrojtës duket se këtë merkato vere do të ndryshojnë ambient në kërkim të aventurave të reja.

Për Enea Mihajn mediet greke projektojnë një lëvizje shumë të bujshme te kampionët e Greqisë, PAOK. Mihaj që në ndeshjet e fundit është thirrur rregullisht në ekipin kombëtar shqiptar është shumë pranë firmës me ekipin nga Selaniku që këtë sezon u rikthye te titulli kampion pas më shumë se tre dekada. Disa sezone të mira me Pantelikos duket se e kanë bindur PAOK që ta afrojë Mihajn, duke e cilësuar si një element shumë pozitiv në repartin difensiv të vlefshëm për sezonin e ri, por edhe për Ligën e Kampionëve, aty ku PAOK do të kërkojë të bëjë surprizën e madhe për të kaluar grupet. Portali grek i lajmeve, “Sportime” raporton se palët e kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe brenda këtyre dy ditëve pritet zyrtarizmi i marrëveshjes. Më herët për PAOK ka luajtur edhe mesfushori kuqezi, Ergys Kaçe.

Por Mihaj nuk është i vetmi që ka gjetur ekip të ri këtë qershor. Liridon Latifi që nuk arriti të shkëlqejë te Akademia Pushkash duket se ka zgjedhur ta vijojë karrierën e tij te ekipi kampion i Moldavisë, Sherifi i Tiraspolit. Skuadra më e madhe moldave ka gjetur akordin me sulmuesin kuqezi dhe do të kërkojë të shkojë sa më larg në Europë, pasi në kampionatin vendas nuk ka rival prej disa sezonesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë