Kombetarja

Merkato “kuq e zi”, lëvizjet e legjionarëve shqiptarë këtë verë

Merkato është koha kur ndodhin surprizat më të mëdha në futboll. Afrime dhe largime futbollistësh që nuk mund të imagjinohen, por që gjatë këtyre muajve bëhen realitet. Pjesë e këtij tregu transferimesh dhe lëvizjesh kanë qenë edhe futbollistët shqiptarë të kombëtares sonë që luajnë jashtë vendit. Duke filluar që nga Mërgim Mavraj, Azdren Llullaku, por edhe Migjen Basha, janë disa futbollistët e ekipit tonë kombëtar që kanë ndryshuar ekip këtë periudhë, ose përfliten se mund të ndryshojnë.

Për ta filluar nga prapavija, Mërgim Mavraj është një nga ata futbollistë që sa herë vjen sezoni i merkatos, gjithmonë përflitet se mund të ndryshojë ekip. Ai me shumë siguri do të largohet nga Bundesliga këtë verë dhe destinacioni më i mundshëm shikohet, Serie A ose Turqia.  Në mbrojtje janë të shumtë futbollistët e kombëtares kuq e zi, që mund të ndryshojnë ekip, pasi edhe Gjimshiti dhe Ajeti me shumë gjasa do të  largohen nga ekipet e tyre gjatë këtyre 5 ditëve të mbetura. Për ta, ka interesime nga brenda kampionatit italian, ku me shumë mundësi ekipet e tyre do i largojnë në formën e huazimit. Edhe dy anësorët e prapavijës, Balliu dhe Aliji presin që të ndryshojnë ekip në këto ditë të mbetura të merkatos. Nëse për Balliun situata është më komode, pasi luan për Metz dhe kërkohet nga disa skuadra në La liga, për Alijin gjendja është pak më kritike. Mbrojtësi nga Kumanova pasi kaloi një sezon jo shumë të suksesshëm në Serie B te Virtus Entela, tashmë ka mbetur pa ekip. Ai duhet të gjejë një ekip të ri pa filluar kampionatet, pasi në të kundërt rrezikon të mbetet pa skuadër siç ndodhi para dy vitesh.

Sakaq më pozitive paraqitet situata me mesfushorët e kombëtares që luajnë jashtë vendit. Abrashi, Xhaka, Ramadani dhe Roshi duken të stabilizuar në skuadrat e tyre, ndërsa disa të tjerë i kanë gjetur shpejt skuadrat e tyre dhe tashmë janë gati për fillimin e kampionateve.

Ledian Memushaj është rikthyer te Peskara, pas aventurës me Benevento, e cila ra në Serie B. Memushaj më herët ka qenë kapiten në këtë skuadër dhe për të është si një rikthim në shtëpi. Sabien Lilaj dhe Kristal Abazaj janë larguar nga kampionati shqiptar për të firmosur jashtë, njëri në Azerbajxhan dhe tjetri në Belgjikë. Edhe Enis Gavazaj ka firmosur në Rusi, duke u larguar nga Skënderbeu. 

Edhe Kamer Qaka shumë i përfolur në merkato për të kaluar në Spanjë apo Iitali, ka zgjedhur ta vazhdojë karrierën e tij në Rumani te Dinamo Bukuresht. Veterani Migjen Basha ka zgjedhur të largohet nga Italia dhe ka firmosur ne Greqi me Aris.

Në repartin e sulmit vetëm Manaj dhe Guri ka ndryshuar skuadër. 20-vjeçari nga Lushnja ka kaluar te skuadra tjetër e Secunda Divizion në Spanjë te Albasete, teksa vijon të jetë në pronësi të Inter.  Ndërsa Sindrit Guri lënë Kukësin për të firmosur me Ostende në Belgjikë. Sulmuesit e tjerë kuq e zinj nuk kanë ndryshuar skuadra këtë verë.

Fjalë merkatoje këtë verë ka pasur edhe për portierët, Etrit Berisha që mund të largohet nga Atalanta, por edhe për Gentian Selmanin që mund të firmosë për një klub jashtë vendit.Duke veçuar Elseid Hysajn dhe Tomas Strakosha, që janë në një tjetër nivel, në përgjithësi të gjithë futbollistët e tjerë të ekipit kombëtar nuk kanë bërë lëvizje të bujshme, por kanë lëvizur në ekipe, ku mund të luajnë më shumë. Ndoshta të vetmit që mund të bënin përjashtim janë Guri dhe Abazaj që po provojnë aventurën e tyre të parë ndërkombëtare.

Më poshtë tabela:

 

Më Shumë