Kombetarja

Merkato e ethshme për legjionarët shqiptarë

Kjo merkato janari pritet të jetë një nga më të zjarrtat për lojtarët shqiptarë që luajnë në kampionatet e huaja. Shumë janë futbollistët kuqezinj që në këtë prag janari janë pa kontratë dhe do të gjejnë ekipet e tyre të reja dhe shumë të tjerë do të ndryshojnë ambient për më mirë. Duke filluar nga sulmi deri të mbrojtja, futbollistë nga të gjitha repartet pritet të ndryshojnë ekip gjatë kësaj merkatoje. Mavraj, Sadiku, Llullaku, Hysaj, Basha, Lenjani, Aliaj, Dyrmishi, Tahiraj, Abazaj dhe shumë futbollistë të tjerë të përfaqësueses do të jenë në qendër të merkatos dhe shumë shpejt pritet të dëgjojmë lajme rreth tyre.

Elseid Hysaj

Mbrojtësi shkodran është futbollisti shqiptar më i shtrenjtë për momentin dhe emri më i përfolur për të ndryshuar ekip gjatë kësaj merkatoje. Hysaj me shumë gjasa do të largohet gjatë këtij janari nga Napoli, aty ku luan prej tre sezone e gjysmë. Këtë sezon ai nuk është një titullar fiks në skuadrën e Ançelotit dhe mundësia e largimit është më e fortë se kurrë. Shanset për transferimin e tij janë më të mëdha drejt Çelësit, aty ku e pret ish-trajneri i tij Mauricio Sarri.

Mërgim Mavraj

Kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit edhe pse vetëm në verë siguroi kalimin në Greqi te ARIS mund të largohet këtë janar. Mavraj nuk pëlqehet më nga drejtuesit e klubit grek dhe është nxjerrë në merkato. Edhe pse klubi nuk e dëshiron, situata e Mavraj mbetet për t’u parë, pasi ai ka një kontratë 2-vjeçare dhe nuk mund të largohet nga ARIS aq lehtë.

Armando Sadiku

Sulmuesi elbasanas është rikthyer në fushë më në fund pas një dëmtimi të rëndë në kavilje. Sadiku është pjesë e Levantes edhe pse aventura e tij te ekipi spanjoll ka lënë shumë për të dëshiruar. Shanset e Sadikut për të luajtur pas këtij dëmtimi janë shumë të vogla dhe më shumë mundësi ai do të kërkojë një ekip të ri, ku mund të ketë më shumë minuta në këmbë. Opsioni më i fortë për Sadikun është kalimi në kampionatin zviceran, aty ku e pret Zyrihu në formë huazimi.

Azdren Llullaku

Sulmuesi Llullaku është duke bërë një sezon shumë të mirë këtë vit në Rumani. Llullaku luan këtë sezon për Astra Giurgiu, ku deri më tani ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 6 asiste. Për shkak të kësaj forme të mirë, Llullaku kërkohet nga disa ekipe të kategorisë së dytë në Turqi, por vështirë se mund të bindin sulmuesin shqiptar që me ekipin e tij ka shanse reale për të luajtur në Kupat e Europës.

Lenjani dhe Aliji

Ekip gjatë kësaj merkatoje mund të ndërrojnë edhe dy mbrojtësit anësor kuqezinj, Emir Lenjani dhe Naser Aliji. Lenjani mund të lërë Sion gjatë këtij dimri, por është e paqartë skuadra ku ai mund të kalojë. Ndërsa për Alijin situata është pak më e rëndë. Mbrojtësi nga Kumanova është pa ekip për momentin, pas largimit nga Dinamo e Bukureshtit. Gjatë këtij janari ai duhet të gjejë një skuadër të re për të mos rrezikuar që të mbetet pa ekip për pjesën e mbetur të sezonit.

Kristal Abazaj

Mesfushori i Andrelehtit nuk po gjen hapësira te skuadra belge që prej transferimit në verën e shkuar. Kjo mungesë aktivizimi mund të sjellë largimin e tij nga kampionët belg, por në formën e huazimit me shpresën që Abazaj të gjejë formën më të mirë sa më shpejt të jetë e mundur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë