Futboll

Merkato dhe Skënderbeu, Gega: Jemi të kënaqur, na pret një sfidë e re

Në prag të ndeshjes me Skënderbeun që shënon edhe rifillimin e Superligës dhe me merkaton në mbyllje, trajneri i Partizanit, Skënder Gega ka dalë në konferencë për shtyp. Tekniku 55-vjeçar në fjalën e tij para gazetarëve fillimisht është ndalur në analizimin e fazës përgatitore në Antalia, duke thënë se ekipi ka marrë shumë gjatë këtyre dy javëve.
“Kemi zhvilluar një fazë përgatitore jashtëzakonisht të mirë duke zhvilluar edhe 3 ndeshje miqësore duke i marrë maksimumin skuadrës, besoj se jemi në rrugën e duhur. Jemi të kënaqur me lojtarët e afruar, shpresoj që të kemi bërë goditjet e duhura megjithatë nesër na pret një ndeshje një sfidë e re dhe momentalisht mendojmë vetëm për këtë takim.”- u shpreh trajneri i Partizanit.

Në dy ndeshjet e para në kampionat, Partizani ka dalë i humbur me Skënderbeun, por këtë herë Gega beson se historia do të jetë ndryshe. Numri një i stolit të Partizanit u shpreh se gjatë këtyre kohëve ai ka punuar me ekipin e tij dhe se tashmë e njohin më mirë skuadrën korçare. Edhe pse një ndeshje përballë një ekipi kundërshtar direkt për titullin kampion, Gega tha se rezultati i kësaj të premte në Korçë nuk do të jetë vendimtar për titullin, pasi janë edhe shumë pikë të tjera në lojë.

“Është e vërtetë që kemi pasur vështirësi në përballjet me Skënderbeun edhe pse kemi zhvilluar lojëra të mira nuk kemi marrë maksimumin. Do mundohemi të bëjmë sa më pak gabime dhe të mos ndëshkohemi nga momente të veçanta. Mendoj se humbja nuk është sukses. Karshi Skënderbeut të dyja rezultatet janë të pranueshme, është një ekip me një 10 vjeçar të jashtëzakonshëm që ka edhe kualitet. Ne kemi mënyrën tonë jemi përgatitur për këtë takim dhe nesër t’ia lemë fushës. Është një sfidë direkte, por kemi edhe 17 ndeshje të tjera. Unë si trajner dua ta çoj ekipin aty ku mendoj dhe nëse marrim 3 pikët me Skënderbeun jemi komod, por edhe nëse ndodh e kundërta duhet të dimë të ngrihemi.”- tha Gega.

Pasi ka firmosur rinovimin e kontratës me Partizanin, që e mban lidhur deri ne fund të sezonit të ardhshëm, Gega tha se asnjëherë nuk është ndjerë nën presion, pasi te Partizani është si në terezi. “Personalisht jam komod jam në shtëpinë dhe familjen time, jam pjesë e këtij projekti. Kontrata nuk ka qenë shqetësuese. Kam lexuar në media shifra marramendëse dhe nuk janë të vërteta as për mua as për lojtarët. Lexova edhe për Dukën që ishte mbuluar me flori, por s’besoj se në Shqipëri ka flori. Nuk janë reale shifrat që publikohen. Ndihem shumë mirë nëse ish trajnerët e Superiores dhe nëse nuk do komentonin Partizanin kandidat kryesor për titull prapë i vlerësoj dhe marr pjesën që më takon.”

Në fund, Gega nuk mund të linte jashtë vëmendjes së tyre edhe çështjen e merkatos. Gega tha se Partizani vijon të jetë në merkato dhe deri në fund ai pret një afrim, për të cilin drejtuesit e klubit janë duke punuar. “Si me Gegën si pa, Partizani do të forcohet edhe më shumë. Nuk mund ta cili do të afrohet, por di që rrimë ende nuk ka. Kemi biseda me shumë lojtarë, nuk është në dorën tonë, ne japim ofertën tonë dhe ata kanë kërkesat e tyre vendosin. Unë jap mendimin dhe idenë që kjo duhet, por janë dy palë. Ne duam të marrim atë që duhet dhe që kemi interes. Është klubi dhe drejtori që po punojnë besoj edhe shpresoj që të na vij në kohën e duhur dhe njeriu i duhur. E mira s’ka fund. Lojtarët që kemi afruar i kemi pritur siç e kemi zakon, si me kualitet që janë. Deri më 31 Janar klubi po punon dhe shpresoj të sjellin dikë të na japë shumë shtysë, pa hequr punën e grupit që është aktualisht. Lum Rexhepi që është sot këtu prezent dhe Duka kanë qenë dëshirat e mia personale pasi unë i njoh të dy i kam parë. Në bashkëpunim me klubin kemi afruar edhe lojtarë të tjerë, shpresoj të mos jemi gabuar dhe të kemi bërë goditjet e duhura.”- ka mbyllur prononcimin e tij trajneri i Partizanit, Skënder Gega.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë