Kombetarja

Meraku për listën zyrtare të Europianit i bëri lojtarët më egoistë!

Gazeta Si – Miqësoret e kanë rezultatin në plan të dytë, rëndësi ka që stafi teknik të arrijë qëllimin për të marrë përgjigjet në fusha nga lojtarë të veçantë, për të cilët ka ende paqartësi. Megjithatë, shija e humbjes, qoftë edhe në miqësore, nuk kalohet lehtë, sidomos kur mundësitë janë për të bërë më mirë, si në rastin e Suedisë.

Kombëtarja shqiptare riktheu lojën, që ia kishte zbehur Kili pak ditë më parë. Kuqezinjtë krijuan raste dhe mund të shënonin të paktën një gol, por gabuam jo pak në finalizim. Gabime që erdhën nga nxitimi prej dëshirës së madhe për të shënuar, në disa raste edhe nga egoizmi.

Asani në disa raste, Bajrami dhe Broja e Laçi mund të ishin treguar më aultruistë për të çuar skuadrën te goli, që do të kishte efekt të madh psikologjik. Që të gjithë tentuan zgjidhjen personale dhe gabuan. Egoizmi i tyre vjen nga meraku që të gjithë lojtarët kanë për listën zyrtare të Gjermani 2024. Diçka normale kjo në këtë moment, siç pohoi edhe trajneri Silvinjo pas ndeshjes.

Por nëse në miqësore ky lloj egoizmi falet, në ndeshjet zyrtare është shumë i dëmshëm. Kuqezinjtë nuk do ta kenë luksin të krijojnë shumë situata goli ndaj kundërshtarëve si Italia, Kroacia dhe Spanja. Rastet do të jenë me ‘pikatore’ dhe, nëse do të ketë egoizëm, Shqipëria do të dëmtohet rëndë.

Gjatë ndeshjes me Suedinë ra në sy fakti se Ivan Balliu, i cili zuri vendin e Hysajt, injorohej gati sistematikisht në krahën e djathtë, kur ai depërtonte në thellësi, duke kërkuar topin i lirë. Shokët nuk e shërbyen dhe trajneri Silvinjo me siguri e ka konstatuar këtë problem.

Pati edhe situata kur kuqezinjtë ishin në superioritet numerik dhe mund të godisnin duke kombinuar mes tyre, por shpërdoruan me konkluzion personal pa rezultat. Veprime të shpjegueshme për faktin që edhe ata lojtarë që e kanë vendin të sigurt për në Gjermani, sërish janë shqetësuar nga ankthi i listës zyrtare.

Kur trajneri Silvinjo të ketë vendosur përfundimisht, të gjithë do të jenë më të qetë në fushë, duke zgjedhur logjikën para egoizmit. Sepse të gjithë janë profesionistë dhe e dinë mirë që me ‘kokëfortësi’ nuk shkohet askund në futboll.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë