Trashëgimi

Menaxhimi i Butrintit, Margariti: Duhen shtuar shërbime për vizitorët. PD: Po jepet me koncesion për 10 vite

Ndërsa pritet që të miratohet projekt-ligji i marrëveshjes për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit në parlament, vijon debati mes mazhorancës dhe opozitës për këtë mënyrë të re menaxhimi të siteve.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në fjalën e saj në Kuvend tha se Fondacioni që do ta menaxhojë është një Fondacion shqiptar, ndërsa tha se duhen shtuar sa më shumë shërbime. Sipas saj, shërbimet  për klientët duhet të jenë më ekselente  dhe sa i përket kërkimeve, Margariti u shpreh se nuk do vijnë të huajt që do bëjnë kërkime, por do bëhen nga shqiptarët.

“Fondacioni për menaxhimin e Butrintit është një Fondacion Shqiptar. Mirëadministrim do të thotë përdorim sa më i mirë i aseteve, ndaj duhen shtuar më shumë shërbime për vizitoret. Po flasim për një pasuri botërore. Vetë UNESCO rekomandon që të arrijë standardin e siteve të tjera. Do të ketë një hartim akademik dhe shkencor për kërkimet. Mirëadministrim do të thotë se të gjitha fondet që do të administrohen në Butrint do të investohen për parkun. Cdo gjë tjetër është shpifje që vjen për ngjyrosje politike. Ky projektligj do t’i diskutojë të gjithë personat e përfshirë sipas një plani afatgjatë. Në Butrint do të ngremë shkollat e kërkimit shkencor”, - tha Margariti.

Nga ana tjetër deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, tha se qeveria po e jep Butrintin me koncesion një fondacioni privat. Sipas Zhupës, ky model menaxhimi nuk gjendet në asnjë vend të botës.

“Nuk ka lidhje me realitetin. Po japin ButrintiN me koncesion një fondacioni privat. Ky model nuk ekziston në asnjë vend të botës. Na thanë se është si Versaja dhe hyra dhe e pashë dhe me dekret, Versaja është një fondacion publik i cili ka privat brenda, por nga 18 anëtarë të bordit, 4 janë të privatit. Ku e gjetët këtë model. Nuk ka shtet të papërgjegjshëm që ia kalon trashëgiminë kulturore një privati. 4 persona të bordit janë individë privat, pa asnjë funksion shtetëror. Është shpikje shqiptare për të dhënë Butrintin me koncesion. KLSH-së i hiqet mundësia që mos të kontrollojë se çfarë po bën Fondacioni në Butrint, pasi është privat. Fondacioni që do të zbatojë menaxhimin thotë se unë do ta marr Butrintit se do të japë 5 mln dollarë. Butrinti prodhon për 10 vjet 60 mln dollarë. Historia dhe identiteti jonë nuk mund të jepet me koncesion”, tha Zhupa.

Ai që ka kritikuar qeverinë për projektin e Butrintit, ka qenë edhe deputeti i PS, Pandeli Majko.

Majko shprehet se në planin e menaxhimit që kanë bërë ndërkombëtarët është bërë mbi bazën e vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2002, ndërsa sipas tij qeveria si bazë legale të marrëveshjes ka marrë vendimin e KM të miratuar në 2022.

“Në planin e menaxhimit që kanë bërë ndërkombëtarët, vendimi i Këshillit të Ministrave i 2002, ndërkaq ju si bazë legale të marrëveshjes keni marrë vendimin e KM të miratuar në 2022, d.m.th 2 muaj më parë”, është shprehur Majko.

Para nisjes së seancës së sotme, një përfaqësi e shoqërisë civile kanë protestuar duke kërkuar që të anulohet projekt-ligji i marrëveshjes për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit. Arkeologu Apollon Baçe tha se në krye të fondacionit që do ta menaxhojë, do të jetë një anti-shqiptar, ndërsa e konsideroi planin si qesharak.

Në përditësim...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë