Kombetarja

Memushaj kërkon kohë për rezultat, Balaj: Të tregojmë fytyrën e vërtetë

Në ditën e dytë të përgatitjeve për ndeshjet e para të kombëtares kuqezi në Durrës, përpara gazetarëve kanë dalë mesfushori Ledian Memushaj dhe sulmuesi Bekim Balaj. Të dy futbollistët janë shprehur optimistë për gjendjen në kombëtare dhe përgatitjet për dy përballjet me Izraelin dhe Skocinë.

I pari që ka folur ishte sulmuesi Bekim Balaj. Shkodrani në fjalën e tij ka nënvizuar faktin se në këto ndeshje ka shumë vlerë eksperienca. Ai shtoi më tej se tashmë është koha që kombëtarja shqiptare të tregojë fytyrën e saj të vërtetë.

“Trajneri Panuçi ka besuar për shkak të eksperiencës për t’ia dalë mbanë ndaj Izraelit dhe Skocisë. Ky është momenti të tregojmë fytyrën e vërtetë të ekipit kombëtar. Ata e dinë forcën tonë, edhe ne të tyren. Objektivi është i vendi i parë. Si Izraeli, si ne edhe Skocia do të luftojmë për këtë vend, por kjo gjë vendoset në fushën e lojës.”- është shprehur sulmuesi shkodran.

Ndërsa Ledian Memushaj në fjalën e tij i ka nënvizuar se grupi është cilësorë, por duhet pak durim derisa të vijnë rezultatet. Mesfushori vlonjat ka thënë se në ekipin kombëtar nuk ka shumë vlerë mosha, por ajo që jep në fushën e lojës.

“Unë nuk e di cila kombëtare është më e fortë, ajo që lashë, apo kjo që gjej, sepse ende nuk kam bërë stërvitje. Ka shumë djem të rinj këtu, që janë të fortë, por edhe ne që kemi qenë, jemi të fortë. Brezat ndërrohen në kombëtare, ndaj duhet edhe pak durim. Sidoqoftë, nuk duhet parë moshën, por kualiteti dhe forma e momentit e secilit futbollist. Ka kohë për djemtë e rinj, gjëja më e rëndësishme në kombëtare është të shihet forma. Shpresoj që të premten të luajmë më mirë se ndaj Turqisë.”- u shpreh Memushaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë