Kombetarja

Memushaj humb finalen e Serisë A, lajm i mirë për trajnerin Reja

Mesfushori i Kombëtares, Ledian Memushaj, do të luajë në Serinë B edhe sezonin e ardhshëm. Shpresat për t’u ngjitur në Serinë A me Peskarën kanë marrë fund mbrëmjen e së dielës, kur skuadra e futbollistit vlonjat u mund në fushën e saj nga Verona, me rezultatin 0-1. Ndeshja ishte e vlefshme për fazën e “play-off”-it dhe Peskara nuk mundi të kalonte në finale, ku do ta priste Çitadela, që eliminoi Beneventon në gjysmëfinalen tjetër.

Barazimi pa gola në ndeshjen e parë me Veronën kishte bërë që shpresat e Memushajt me shokë të rriteshin, por Peskara u mund në fushën e saj. Gjithçka u vendos nga një penallti e akorduar për Veronën në pjesën e dytë. Memushaj ishte titullar në të dyja ndeshjet dhe paraqitja e tij ka qenë relativisht e mirë. Përvoja e vlonjatit i ka shërbyer gjithmonë Peskarës, por të paktën edhe një sezon kjo skuadër do të marrë pjesë në Serinë B. Ndryshe nga mesfushori tjetër kuqezi, Emanuele Ndoj, i cili u ngjit direkt në Serinë A me Breshian, Memushaj e kishte më të vështirë, pasi në “play-off” merrnin pjesë skuadra shumë të forta. Peskara ishte shumë afër finales, megjithatë eliminimi i saj e ka një të mirë…

Memushaj me Kombëtaren në një ndeshje ndaj Izraelit

Për trajnerin e Kombëtares, Edi Reja, fakti që mesfushori Memushaj e ka mbyllur sezonin në Itali, është një lajm i mirë. Vlonjati do të ketë mundësi të rikuperohet fizikisht dhe të jetë plotësisht i gatshëm për dy ndeshjet eliminatore të Euro 2020 me Islandën dhe Moldavinë, që luhen më 8 dhe 11 qershor. Memushaj është një lojtar shumë i rëndësishëm për kombëtaren dhe trajneri Reja sigurisht që e do sa më të freskët fizikisht. Trajneri italian do të ketë shumë shpejt në dispozicion vlonjatin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë