Futboll

Mema largon presionin nga Tirana: Dua futboll ‘Fair Play’

Fitorja në javën e fundit me Teutën dhe humbja e Kastriotit duket sikur i qetësoi disi ujërat në kampin e Tiranës. Skuadra bardheblu këtë javë do të ketë një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme me Kukësin, ku duhet fitorja me çdo kusht. Trajneri bardheblu, Ardian Mema duke folur në konferencën për shtyp u shpreh se ekipi i tij duhet të bëjë maksimumin në këtë fazë të sezonit si në Kupë edhe në Kampionat. Ai shtoi se nuk duhen parë rezultatet që marrin ekipet e tjera, por thjesht Tirana të fokusohet në rezultatin e ndeshjeve që ka përpara.

“Përqendrim maksimal nga të gjithë, asnjë dallim mes kompeticioneve. Kemi qenë goxha mirë në Durrës, duhet të vijojmë prej aty. Së pari, duhet të bëjmë llogaritë tona. Kemi lënë pikë shpesh duke i falur ndeshjet, ndaj këtu duhet të bëjmë shumë kujdes, pa bërë asnjë llogari për momentin. Tifo për Partizanin? Kur mundëm Kukësin në fazën e tretë thashë që nuk do doja kurrë ta nxirrja Partizanin kampion, por në kemi luftuar dhe luftojmë për vete, ashtu si çdo ekip bën llogaritë e veta. Ne duhet të përqendrohemi në maksimum në çdo ndeshje. Nuk e them dot që jemi të avantazhuar, do ta shohim nesër, aq më shumë shumë do jemi pa tifozë, pa ta do jetë si ndeshje e vdekur. Na duhen pikët, duhet t'i marrim.”

Për mungesën e tifozëve në shkallët e stadiumit, Mema u shpreh i keqardhur, por shtoi se kjo gjë nuk mund të jetë një arsye për të mos ta fituar këtë ndeshje me Kukësin. "Keqardhje që nuk do jenë, janë pjesë shumë e rëndësishme e jona dhe e pamë edhe në Durrës. Ngo? Kthim goxha pozitiv, sepse me të ekipi ka më shumë besim te vetja. Megjithatë, edhe lojtarët që kanë qenë të gatshëm në ndeshjet e fundit më kanë pëlqyer shumë, kanë qenë të rëndësishëm. Ngo ka pak ditë që stërvitet, në mënyrë individuale më herët, ndaj është rikuperuar, por në një fazë kaq delikate dhe pas një pushimi disi të gjatë, Mjakëll duhet administruar mirë.

Në fund, Mema ka bërë apel për një futboll më të drejtë dhe një lojë “fair”. Ai shtoi se ashtu siç Tirana i pranon të gjitha rezultatet edhe ekipet e tjera duhet të bëjnë të njëjtën gjë. "Dua Fair Play në çdo ndeshje, vetëm kaq, nuk dua të merrem me akuza e polemika. Di vetëm që Tirana luan në fushë dhe pranon çdo rezultat që prodhon fusha.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë