Politike

Meloni: Shtetet e Ballkanit, urgjent në BE! Italia, prioritet Korridorin e Tetë

Gazeta Si - Italia kërkon që shtetet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen sa më shpejt në Bashkimin Europian.

Kjo është deklarata e lëshuar nga kryeministrja e djathtë Xhiorxhia Meloni gjatë samitit të Triestes që kishte në fokus çështjen “Italia dhe Ballkani Perëndimor: rritje dhe integrim”.

“Është urgjente që Bashkimi Evropian të vendosë ndër prioritetet kryesore zgjerimin e shpejte me te gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ne nuk mund të lejojmë që ky kuadrat strategjik për kontinentin tonë të mbetet për një kohë të gjatë jashtë "shtëpisë së përbashkët evropiane". Kjo është arsyeja pse Italia do të vazhdojë të luftojë në vijën e parë të frontit, në mënyrë që procesi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor të vazhdojë me shtysë dhe vendosmëri edhe më shumë. Evropa ka një përgjegjësi të madhe kundrejt shteteve ballkanike, ndaj duhet që të angazhohet për të rikonfirmuar sensin e përkatësisë së këtij rajoni me vlerat tona. Ekzaktesisht ky ishte mesazhi që iu përcolla 6 dhjetorin e vitit të kaluar krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane me ato të Ballkanit në samitin e 6 dhjetorit të mbajtur në Shqipëri”, tha Meloni.

Ajo theksoi se është gjithashtu një çështje me rëndësi absolute që ka të bëjë me sigurinë e kombëtare të Italisë dhe që edhe për këtë arsye nuk mund ta neglizhojnë.

Sipas saj, ishte e rëndësishme të rikonfirmohej pikërisht në Tiranë angazhimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur rajonin me masa konkrete.

“Qëllimi i kësaj qeverie është të sjellë më shumë Itali në Ballkan. Në fund të fundit, kjo ka qenë kërkesa që m’u parashtrua nga takimet me të gjithë miqtë e rajonit në Tiranë. Kompanitë tona janë tashmë protagoniste në rajon, por ne duhet ta rinovojmë këtë prani dhe të investojmë në sektorë strategjikë”, shtoi kryeministrja e Italisë.

Ndërsa iniciatori i kësaj konference, kryediplomati Antonio Tajani tha se do të zhvillohet një takim me Shqipërinë sa takon finalizimit të projektit të Korridorit të Tetë, që përfshin Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Na kërkojnë që të mundësojmë këtë negocim, për shkak se Italia ka kapacitetin për ta realizuar atë dhe mund të jemi protagonistë të koordinimit mes vendeve të Ballkanit”, theksoi kryediplomati italian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë