Kombetarja

Mëkat! Shqipëria bën lojën, Izraeli golat dhe merr pikët

Fatjon Rupi - Edhe në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena” me Izraelin, ku fitoi 1-0, Shqipëria nuk kishte luajtur më mirë se në “Toto Turner Stadium” të Be’er Shevas. Është vërtet një mëkat, që kjo ndeshje është mbyllur 2-0 në favor të Izraelit, pasi kuqezinjtë kanë krijuar volum të madh loje dhe kanë krijuar më shumë raste se kundërshtari, por pa mundur ta dërgojnë topin në rrjetë. Statistikat teknike të ndeshjes janë në favor të Shqipërisë. Mjafton të përmendim faktin që kuqezinjtë kanë pasur 64% të kontrollit të topit.

Një pakujdesi e mbrojtjes në minutën e tetë solli golin e parë të Izraelit, ku Hemed doli i vetëm përballë Strakoshës, me një assist të portierit të tij. Më parë Balaj kishte një rast shumë të mirë shënimi. Goli e mundon shumë skuadrën tonë kombëtare, është bërë një makth i vëretetë, aq sa edhe në miqësoren me Jordaninë sulmi nuk mundi të zhbllokohej. Dhe kjo gjë e ka penalizuar si në Skoci, ashtu edhe tani ndaj Izraelit, ku Shqipria ka humbur me të njëjtin rezultat, 2-0. Balaj pati edhe dy topa të tjerë goli, por nuk ia doli të shënonte, ndërsa Grezda, pavarësisht lëvizshmërisë që pati, në disa raste u tregua egoist dhe e humbi topin. Xhaka, pa dyshim më i miri në fushë, tentoi nga jashtë zonës, ashtu si dhe Hysaj, Lilaj e Memushaj, por kuqezinjtë ishin vërtet pa fat në këtë ndeshje. Pa fat edhe në rastin e golit të dytë të Izraelit, kur topi i gjuajtur nga Saba u devijua nga Gjimshiti, u përplas në shtyllë dhe shkoi në rrjetë. Ishte minuta e 83-të dhe deri atëherë Shqipëria ishte plotësisht në lojë për të barazuar, duke dominuar mbi kundërshtarin.    

Xhaka në aksion

Vendi i fundit në grup, me golaverazhin -3 dhe Liga D, janë thuajse të sigurta për skuadrën e trajnerit Panuçi. Vetëm një mrekulli mund ta përmbysë situatën, që do të thotë se Izraeli duhet të humbë në Skoci dhe Shqipëria të arrijë një fitore të thellë ndaj Skocisë në shtëpi.

Surpriza e trajnerit Panuçi në formacion ishte Myrto Uzuni, i cili është preferuar para Gavazajt. Beratasi dha sinjale të mira në miqësoren me Jordaninë dhe trajneri italian e hodhi në fushë nga minuta e parë. Lojtari e justifikoi plotësisht besimin e trajnerit, pasi u paraqit shumë mirë, duke dhënë idenë se kishte kohë që luante me fanellën kuqezi. Pjesa tjetër e formacionit ishte ajo që ishte parashikuar, me Balajn në majtë të sulmit dhe mbrojtjen me katër lojtarë. Basha pësoi një dëmtim në fundin e pjesë së parë dhe ia la vendin Lilajt, ndërsa Vrioni debutoi me Kombëtaren, duke zënë vendin e Balajt në minutat e fundit.

Basha në aksion

Rezultati mund të sjellë kritika për trajnerin Kristian Panuçi, por skuadra këtë radhë ka funksionuar mirë dhe vetëm fati i keq i ka mohuar të paktën barazimin. Pas ndeshjes, italiani u shpreh: “Më vjen keq për lojtarët, sepse kanë zhvilluar një ndeshje të jashtëzakonshme. Pësuam gol nga rivënia e portierit kundërshtar dhe kjo është e rëndë. Edhe goli i dytë ishte më shumë autogol  yni dhe kjo humbje të bën të ndihesh keq. Në rastin e golit të parë mbrojtësit po flinin. Është e vështirë të fitojmë 3-0 ndaj Skocisë dhe kjo e fundit të mundë Izraelin, që të barazohemi me pikë. Jemi jashtë. Nuk jemi dorëzuar, por me këtë humbje është bërë gjithçka shumë e vështirë. Nuk dua të përmend emra lojtarësh. Pashë një skuadër të madhe”.

Trajneri Panuçi dhe stafi i tij gjatë këndimit të himnit

Izrael-Shqipëri 2-0

Shënues: Hemed 8’ Saba 83’

Izraeli: Harush, Dasa, Tibi, Naço, Kajal, Peretz, Dabur, Hemed, Jeini, Tuatha, Ben Harush.

Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Xhimshiti, Mavraj, Binaku, Grezda, Xhaka, Basha (Lilaj 46’), Memushaj, Uzuni, Balaj (Vrioni 73’).

Statistikat e ndeshjes, që tregojnë dominimin e kuqezinjve

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë