Luiza Gega është në formën e saj më të mirë në prag të Botërorit të atletikës, që do të zhvillohet në Doha të Katarit. Në mitingun ndërkombëtar të Berlinit në Gjermani, atletja shqiptare e garave të gjata ka vendosur një rekord personal dhe kombëtar. Në garën e 2000 metrave me pengesa, ajo regjistroi kohën 6:00.07, duke zënë vendin e tretë, që do të thotë medalje bronzi.
“Sot vendosa një nga rezultatet më të mira të karrierës time sportive dhe për më tepër vazhdoj të ndihem vërtet në formë shumë të mirë. Mezi pres të filloj përgatitjet për kampionatin botëror “Doha 2019”. Faleminderit të gjithëve për suportin, do të thotë vërtet shumë për mua”, - ka shkruar Luiza Gega në rrjetet sociale pas garës së Berlinit.
Botërori i Dohas fillon pas më pak se një muaji dhe Luiza Gega, me formën që po kalon, premton të marrë medalje. Gara e preferuar e atletes së suksesshme është 3000 metra me pengesa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.