Atletike

Medalje ari në Stamboll, Luiza Gega shpallet kampione Ballkani

Luiza Gega sërish protagoniste, sërish kampione. Atletja shqiptare e garave të gjata është shpallur kampione e Ballkanit. Ajo ka triumfuar në Stamboll, ku po zhvillohet kampionati ballkanik i atletikës në salla të mbyllura.

Luiza Gega ka konkurruar në garën e 3000 metrave dhe ka dalë e para, duke regjistruar kohën 8 minuta, 54 sekonda e 4 të qindtat. Atletja 30-vjeçare u shkëput nga rivalet e saj dhe nuk e vuri asnjëherë në diskutim vendin e parë. Gega u tërhoq nga gara e 1500 metrave për të dhënë gjithçka në atë të 3000 metrave, një strategji që i dha të drejtë.

Ky është një tjetër sukses për sportisten shqiptare, pas Lojërave Mesdhetare të Tarragonës, ku zuri vendin e parë, dhe Europianit, ku zuri vendin e katërt, gjithmonë në garën e 3000 metrave. Një sportiste që meriton respektin maksimal për sakrificën që bën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë