Tokio 2020

Medalja e parë e artë i takon Kinës, e fiton 21-vjeçarja Yang Qian

Olimpiada e Tokios ka dhënë tashmë medaljet e para, ato në disiplinën e qitjes, karabinë 10 metra për femra. Medalja e artë që inauguron një seri, që në fund të Lojërave do të shkojë në kuotën 339, është kineze. E ka fituar atë 21-vjeçarja Yang Qian, që qëllon që kur ishte 10 vjeç.

Medaljen e argjendtë e ka fituar rusja (në fakt përfaqësuesja e komitetit olimpik rus), Anastasija Galashina, kurse medalja e bronzit i ka takuar zviceranes Nina Christen. Për të dhënë medaljet në pod ishte edhe presidenti i CIO-s, Thomas Bach. Në tribuna, pavarësisht mungesës së publikut, ishte një festë e madhe, sidomos nga delegacioni kinez.

Finalja, pas eliminimit të një qitëseje në çdo raund, ishte e mbushur me emocione. Yang Qian, e cila mori 251.8 pikë, e kaloi rusen Galashina pikërisht në gjuajtjen e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë