Sociale

Me vendim gjykate, uji më 2017 ishte i papijshëm në Tiranë: “Qytetarët do të nisin paditë për anulimin e faturave”

Pasi Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka pranuar të hënën se uji në Tiranë ka qenë i papijshëm në vitet 2016-2017, qytetarëve tani u lind e drejta të ngrenë padi dhe të kërkojnë kthimin mbrapsht të parave të faturave të paguaragjatë asaj periudhe.
Avokati që ngriti dhe ndoqi këtë çështje Dorian Matilija, pjesë e organizatës së juristëve “Qendra Res Publica” i tha Gazetasi.al se çështja do të vijojë të ndiqet edhe nëse Ujësjellës-Kanalizime Tiranë (UKT) do të apelojë vendimin e gjykatës. Matlija shprehet se nëse çështja gjyqësore përmbyllet me këtë vendim siç është aktualisht, qendra dhe ai do të nisë paditë për anulim të faturave të qytetarëve.
“Kemi prokurën e 30 personave për momentin, por mund të shtohen”, shtoi avokati.
Në vitin 2017, “Qendra Res Publica” dhe shoqata “Impetus” iu drejtuan Gjykatës së Tiranës duke i kërkuar shoqërisë Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë që të kryejë analiza për cilësinë e ujit të pijshëm në kryeqytet dhe t’i raportojë ato. Organizatat kishin konstatuar se në zona të ndryshme të Tiranës, niveli i baktereve është më e lartë se norma e lejuar. Bakteret e pikasur në atë kohë ishin esherika koli dhe streptokoku fekal.
Sipas vendimit, UKT është e detyruar që këto rezultate të analizave ti dërgojë në Institutin e Shëndetit Publik, për të përcaktuar masat që duhet të merren më pas për përmirësimin e cilësisë së ujit. Gazetasi.al kërkoi një raport mbi cilësinë e ujit në ISHPpër vitet e fundit, por deri në momentin e botimit të këtij shkrimi, nuk mori informacion. Ndërkaq në një raport teknik të UKT në vitin 2019 nënvizohet se “stacionet e pompimit të ujërave nëntokësore janë jashtë kushteve higjieno-sanitare dhe nuk garantojnë një cilësi sipas standardeve të kërkuara nga Komiteti Evropian pasi nuk ekziston një zonë saniteti, rreptësie dhe mbikëqyrjeje”.

Në raport gjithashtu thuhet se vazhdimisht në ujin e pijshëm ishte paraqitur bakteri ehserika koli dhe streptokoku fekal të cilat janë baktere të rrezikshme që mund të shkaktojnë infeksione urinare, gastroenterite dhe diarre. Raporti shpjegon se gjithashtu prurjet e këtyre stacioneve kanë ardhur në rënie si pasojë e shfrytëzimit të shtresave ujëmbajtëse pa kriter.

Avokati Dorian Matilija

“Këto vendburime me sugjerimet e shëndetësisë duhet të dalin jashtë pune, prandaj nuk do të merren në konsideratë në bilancin e ujit për perspektivën 25 vjeçare”, përcaktohet në raport.
Më tej raporti shkruan se zonat të cilat janë të pasigurta për cilësinë e ujit të pijshëm janë Kombinati që e merr ujin nga stacionet e pompimit Buka dhe Pema. Gjithashtu Yrsheku, Mëzezi dhe Yzberishti, furnizohen nga stacioni i pompimit të Bërxullit, vend tjetër u përcaktua se ishte Kodër Kamza dhe Instituti që furnizohen nga stacioni i Laknasit dhe zona e Saukut dhe Liqeni i Thatë që furnizohet nga partitari që është pusi i Pishinave.
Avokati Matlija e konsideroi vendimin si një hap të rëndësishëm që do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së furnizimit me ujë të pijshëm të kryeqytetit, si dhe me efekt tek përdoruesit e shtresave të varfra, të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të siguruar ujin e pijshëm përveç rubinetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë