Shendet

Me variantet e reja, distanca dy metra nuk mjafton për të shmangur infektimin

Distanca dy metra largësi për të anashkaluar infektimin nga Covid-19, duket se nuk është e mjaftueshme, sidomos në ambientet e mbyllura. Studiuesit e inxhinierisë arkitektonike të Universitetit Shtetëror të Pensilvanisë, në një hulumtim të fundit zbuluan se grimcat e ngarkuara me viruse nga një person i infektuar nga variantet e reja mund të kalojnë tek personi tjetër brenda një minute edhe në një distancë prej dy metrash.
Donghyun Rim, një nga autorët e studimit dhe profesor i Inxhinierisë Arkitektonike theksoi se ky trend është më i shpeshtë në mjedise ku ventilimi nuk është i mjaftueshëm. Për të treguar se sa ndikon distanca fizike, ekspertët kryen matjet e aerosoleve në ambiente të mbyllura të cilat nuk kishin ventilim natyral dhe në ambiente të mbyllura me kondicioner. Sipas studiuesve, këto të fundit treguan se spërklat e infeksionit mund të transmetoheshin 7 herë më shumë, kështu që sipas tyre distanca mes njerëzve në një zyrë të mbyllur duhet të jetë më e madhe se 2 metra.
Ekspertët shtuan se nevojiten më shumë kërkime mbi këtë temë. Sipas tyre duhen më shumë të dhëna për ekspozimin e aerosoleve virale në mjedise të brendshme, për të pasur një pasqyrim më të qartë mbi këshillat që do të mbrojnë njerëzit nga Covid-19 në ambiente të brendshme.
Hulumtuesit këshillojnë se deri në momentin që këto të dhëna të konfirmohen, duhet që në çdo kohë të përdorni maskë, edhe nëse ruhet distanca sociale. Rezultatet e hulumtimit u botuan në revistën “Sustainable Cities and Societies”.
Burimi:La Repubblica/Përshtati:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë