Nga Fatjon Rupi - Kur trajneri i ri i Izraelit, austriaku Andreas Herzog, shpalli listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e Ligës së Kombeve, ra menjëherë në sy prania e sulmuesit Eran Zahavi. Një lojtar që të gjithë tifozët kuqezi e kanë të fiksuar mirë në memorie që nga ndeshja e luajtur në “Elbasan Arena” gati 2 vite më parë, kur Shqipëria humbi thellë, 0-3. Një personazh shumë i urryer për kuqezinjtë për episodin e shëmtuar të kartonit të kuq të portierit Etrit Berisha, i provokuar nga sulmuesi izraelit. Arbitri turko-gjerman, Ajtekin, në atë rast ndëshkoi maksimalisht Shqipërinë, duke i dhënë karton të kuq për reagim portierit Berisha dhe njëkohësisht penallti në favor të Izraelit, edhe pse loja zhvillohej në një sektor tjetër të fushës. Pas ndeshjes, trajneri i atëhershëm i Shqipërisë, De Biazi, e quajti “bir ku...” Zahavin, pasi ia arriti qëllimit me provokimin e tij.
Eran Zahavi ishte përjashtuar nga kombëtarja e Izraelit para se të mbylleshin eliminatoret e Botërorit të Rusisë, pasi shpërtheu në akuza ndaj ekipit për mungesë profesionalizmi, ndërkohë që hodhi në tokë edhe shiritin e kapitenit. Një sjellje që nuk u tolerua nga drejtuesit e Federatës Izraelite e Futbollit, por tashmë sulmuesi 31-vjeçar, që luan në Kinë, është falur dhe është rikthyer në kombëtare. Ai është një nga pikat më të forta të Izraelit. Trajneri i ri, Andreas Herzog, zëvendësoi Alisha Levin në stolin izraelit dhe kërkon të bëjë një revolucion për ringritjen e ekipit. Austriaku ka drejtuar më parë në vendin e tij dhe në Amerikë, madje ka qenë ndihmës edhe i kombëtares amerikane.
Përveçse ka ndryshuar stafin teknik, Izraeli ka ndryshime edhe në listën e lojtarëve të grumbulluar për Ligën e Kombeve, ashtu si dhe Shqipëria. Në listë mungojnë disa emra të njohur, mes tyre mbrojtësi Tal Ben Haim dhe ish-lojtari i Çelsit. Josi Benajun, të cilët e kanë mbyllur aventurën e tyre me kombëtaren. Ndryshe nga Shqipëria, që ka vetëm portierin e tretë nga kampionati vendës, pjesa dërrmuese e lojtarëve të Izraelit luajnë në kampionatin vendës. Të paktë janë ata që luajnë në kampionate të huaja. Ylli i skuadrës mbetet Eran Zahavi, pavarësisht polemikave të kohëve të fundit. Trajneri i ri bazohet gjithashtu te përvoja e mesfushori Bibras Naço, që luan me Olimpiakosin në Greqi, apo edhe sulmuesi i Salcburgut Monas Dabur e lojtari i Eintraht Frankfurtit, Tauatha. Mungon portieri Goresh, të cilit Armando Sadiku, i cili gjithashtu nuk luan, pasi është i dëmtuar, i shënoi dy gola në Izrael. Mungon edhe sulmuesi Ben Sahar.
Izraeli i mbylli eliminatoret e Botërorit të Rusisë në vend të 4-t në Grupin G, me 12 pikë. Shqipëria zuri vendin e 3-të në eliminatoret e fundit, me 13 pikë, duke u renditur pas Spanjës dhe Italisë. Dy skuadrat ranë në të njëjtin grup edhe në Ligën e Kombeve, një kompeticion që organizohet për herë të parë. Mbrojtja e Shqipërisë në ndeshjen e së premtes do të jetë e njëjta, me Hysajn, Gjimshitin, Mavrajn dhe Agollin, kurse për portën trajneri Panuçi do të zgjedhë mes Berishës dhe Strakoshës. Nëse zgjedh të parin, prapavija kuqezi është identike me ndeshjen e 2016-ës dhe sigurisht që ka një “hak” për të marrë.
Izrael-Shqipëri 0-3
Shënues: Sadiku 22’, 44’, Memushaj 71’
Shqipëri-Izrael 0-3
Shënues: Zahavi 18’ (penallti), Eibinder 66’, Atar 83’
Lista e Izraelit aktual
Portierë: Ariel Harosh (Hapoel Beer Sheva), Gi Haimov (Makabi Haifa), Deni Amos (Makabi Netania)
Mbrojtës: Taleb Tauatha (Eintraht Frankfurt), Samuel Shaiman (Hapoel Be’er Sheva), Ben Biton (Hapoel Be’er Sheva), Luis Taha (Hapoel Be’er Sheva), Shir Tzedek (Hapoel Be’er Sheva), Ayed Abissinian (Makabi Haifa), Eli Dasa (Makabi Tel Aviv), Eitan Tibi (Makabi Tel Aviv), Niso Kapioluto (Hapoel Haifa)
Mesfushorë: Dan Ainbinder (Hapoel Beer Sheva), Dor Mica (Makabi Tel Aviv), Dan Glaser (Makabi Tel Aviv), Dor Perez (Makabi Tel Aviv), Maksim Falkushenko (Hapoel Haifa), Manor Solomon (Makabi Petah Tikva), Biram Kajal (Brighton), Bibras Natcho (Olimpiakos)
Sulmues: Eran Zehavi (Guangzhou R&F), Tomer Hemed (QPR), Monas Dabur (RB Salzburg), Alon Turgeman (Austria Viena), Dia Saba (Makabi Netania)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.