Kombetarja

Me skemë ndryshe dhe buzëqeshje, formacioni zyrtar i Rejas në Islandë

Nga Islanda e ngrirë fillon zyrtarisht aventura e Edi Rejas në krye të kombëtares shqiptare. Veterani italian e mori kombëtaren e Shqipërisë, pas dy ndeshjeve të para në këto eliminatore europiani. Humbja me Turqinë në Shkodër dhe dëshira e madhe për të shkuar sërish në fazën finale të një kompeticioni të tillë e bën këtë ndeshje një mision jo pak të lehtë për 73-vjeçar.

Shqipëria do duhet të fitojë sot me Islandën, e cila ka të njëjtën ëndërr si Shqipëria dhe në dy ndeshjet e para ka po të njëjtin bilanc pikësh, një humbje dhe një fitore. Me Islandën mund të konsiderohet si treni i fundit që do të mbante gjallë shpresën për të përsëritur 2016-ën, por si ndeshja e parë zyrtare me kombëtaren shqiptare, Edi Rejas mund t’i falen të gjitha rezultatet.

Atmosfera në prag të ndeshjes

Edi Reja është cilësuar gjerësisht në opinion futbollistik shqiptar, nga specialist dhe tifozë, si njeriu i duhur në kohën e duhur për ta ringritur këtë ekip. Italiani në fakt shenjat e para i ka treguar dhe atmosfera në grupin kuqezi është shumë herë më qetë dhe pozitive në krahasim me epokën e “rreshter Panuçit”. Por edhe 73 vitet e eksperiencës që Reja mban mbi supe nuk e kanë qetësuar plotësisht ambientin kuqezi. Rasti Grezda është treguesi më i fortë. Sulmuesi i Rejnxhërs u largua nga grumbullimi i kombëtares vetëm dytë ditë pasi kishte mbërritur në Shqipëri. Një çështje me shumë mjegull dhe që ngre shumë pikëpyetje, por vetë Reja dje tha se për të, në këtë moment rëndësi ka vetëm ndeshja. Dhe në fakt mund të ketë të drejtë, pasi si Grezda në vitet e fundit Shqipëria ka pasur shumë dhe është provuar tashmë se mungesa apo prezenca e një lojtari në fushë nuk e ka bërë diferencën, kushdo të ketë qenë ai.

Formacioni zyrtar i Shqipërisë

Përveç frymës ndryshe, Reja ka sjellë në kombëtaren shqiptare edhe një skemë të re. Është një skemë që përdoret gjerësisht në vitet e fundit në kampionatin italian, por që ekipi kuqezi nuk e ka përdorur shpesh. 3-5-2 pritet të luaj Shqipëria e Edi Rejas.

Në portë Berisha është i padiskutueshëm, për shkak të mungesës së Tomas Strakoshës. Në vijën e mbrojtjes, që si rrallë herë do të jetë me tre, Reja do të jetë shumë i kushtëzuar nga mungesat. Me Gjimshitin e Atalantës të dëmtuar, Mavrajn e pezulluar dhe Ajetin jashtë forme, treshja e pasme për Shqipërinë formohet nga Veseli, Ismajli dhe Dermaku. Nga krahët pak më të avancuar dhe me detyra për të sulmuar dhe mbrojtur do të jenë Hysaj dhe Lenjani. Në qendrën e mesfushës Reja siç e tha edhe në konferencën e djeshme do të kërkojë të ketë muskuj dhe eksperiencë. Basha dhe Xhaka do e nisin që nga minuta e parë këtë përballje. Vend titullari ka edhe Abrashi

Në vijën e parë të sulmit Shqipëria ka Cikalleshin dhe Balajn.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë