Futboll

Më shumë francezë se gjermanë, rasti i pazakontë i Lajpcigut

“Allez les lipsiens”. Ky është kori në gjuhën frënge, me të cilin tifozët e Lajpcigut në Gjermani do të inkurajojnë lojtarët e ekipit të tyre sezonin e ardhshëm. Pse në frëngjisht? Një arsye është. Klubi gjerman ka investuar gjithmonë te të rinjtë, sepse ka një parim: të mos blejë lojtarë më të mëdhenj në moshë se 24 vjeç. Dhe meqenëse për momentin është Franca që po prodhon më shumë talente, edhe Lajpcigu po “peshkon” në këtë vend.

Klubi gjerman ka gati zyrtarizimin e Kristofer Nkunku nga PSG-ja. Për mesfushorin 21-vjeçar Lajpcigu do të shpenzojë 15 milionë euro dhe kjo është një blerje e veçantë, po të kemi parasysh faktin se me ardhjen e tij në skuadër do të jenë më shumë francezë se gjermanë. Nkunku, pasi të firmosë kontratën 5-vjeçare me Lajpcigun, do të bashkohet me patriotët e tij Augustin, Upamekano, Mukiele dhe Konate. Më “i moshuari” prej tyre është 22 vjeç. Bëhen kështu 5 francezë në klubin e financuar nga “Red Bull” dhe atyre mund t’u shtohet edhe Haidara, i cili është nga Mali, që do të thotë se flet frëngjisht. Paradoksalisht, gjermanët në ekip janë 4: Verner, Klosterman, Halstenberg dhe Deme. Përveç tyre është edhe Orban, por ai ka edhe pasaportë hungareze dhe ka zgjedhur të luajë me Hungarinë.

Nkunku, francezi i fundit i blerë nga Lajpcigu

Markus Krushe, drejtori sportiv i Lajpcigut, ka shpjeguar strategjinë e klubit në merkato: "Sektorët e të rinjve në Francë janë shumë të mirë, prej tyre dalin lojtarë të talentuar nga pikëpamja teknike dhe taktike. Prandaj dhe këta lojtarë janë interesantë për ne”. Interesant është fakti se sezonin e ri Lajpcigu do të luajë për herë të dytë në historinë e tij në Champions, ku merr pjesë edhe Salcburgu. Një shenjë se plani i “Red Bull”-it për të investuar te të rinjtë po jep rezultate, pavarësisht sakrificave.

Në vitin 2014, kur Lajpcigu u ngjit në Bundesligën 2, prokuratori i Xhimi Vardit i telefonoi Rangnik, drejtor i përgjithshëm në atë kohë, për t’i sugjeruar anglezin e njohur. "Ka qenë në burg, nuk ka shpërttyer ende, por me ty Xhimi do të arrijë në kombëtare, jam i bindur”, - i tha prokuratori drejtuesit gjerman, i cili shkoi ta shihte Vardin në një ndeshje dhe në fund vendosi të mos e merrte. "Po, është shumë i zoti, duket, por është 27 vjeç, shumë i vjetër për ne”, - ishte përgjigja e Rangnik. Sepse për t’u rritur, Lajcigu investon te të rinjtë. Për momentin, më të mirët në botë janë francezë dhe për këtë arsye sezonin e ardhshëm në “Red Bull Arena” do të dëgjohet një kor i pazakontë: "Allez les lipsiens…".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë