Shendet

Më shumë fëmijë po përjetojnë ankth por pak prej tyre po marrin trajtimin e duhur

Më shumë fëmijë, adoleshentë dhe të rinj po përjetojnë ankth por shumë pak prej tyre po marrin trajtimin e duhur, sipas një studimi të fundit.

Një studim i ri shikoi të dhënat nga Anketa Kombëtare e Kujdesit Mjekësor Ambulator nga viti 2006 deri në 2018 dhe vlerësoi vizitat e mjekëve në zyrë për të parë se sa prej tyre përfshinin një diagnozë të çrregullimit të ankthit dhe çfarë trajtimi, nëse ka, ishte dhënë. Pacientët e vëzhguar varionin nga mosha 4 deri në 24 vjeç.

Ndërsa vizitat për ankth u rritën nga 1.4% në periudhën 2006-2009 në 4.2% në periudhën nga 2014 në 2018, përqindja e vizitave me terapi u ul, sipas studimit të botuar në revistën Pediatrics.

Gjasat që një pacient të marrë mjekim vetëm për të trajtuar ankthin pa terapi u rrit ndjeshëm në vitet e mëvonshme sipas të dhënave.

“Ankthi tek të rinjtë po përkeqësohet”, tha autorja kryesore e studimit Laura Chavez.

“Edhe kur pacientët shkojnë tek një mjek, përsëri mund të largohen pa marrë trajtimin që u nevojitet:, thotë autorja.

“Një dobësi e studimit është se ka të ngjarë të mbulojë vetëm një pjesë të problemit”, thotë Lata McGinn, pedagog në Universitetin e Nju Jorkut.

Ndërsa studimi përfshin njerëz që shkojnë tek specialisti për trajtim, ka shumë njerëz që nuk shkojnë kurrë në zyrën e mjekut, tha McGinn.

“Ka shumë e shumë njerëz që as nuk po marrin mjekim”.

Pse kemi nevojë për terapi

Të dhënat rreth trajtimit janë shqetësuese, sepse provat ekzistuese kanë treguar se për shumicën e njerëzve, terapia është mënyra më e mirë për të trajtuar ankthin, tha McGinn.

Por pjesa më e madhe e të rinjve nuk po marrin asnjë lloj terapie, edhe pse trajtimi si terapia konjitive e sjelljes, ose CBT, është një mbrojtje kundër ankthit.

“Fakti që ata nuk po marrin terapi tregon që ata në thelb nuk po mësojnë si të përballojnë ankthin vetë”, thotë McGinn, duke shtuar se kjo është veçanërisht shqetësuese për të rinjtë që janë ende duke u zhvilluar.

“Të jetosh me probleme të tilla si ankthi dhe depresioni mund të ndihet si të jesh në një oqean”, thotë Ariana Hoet, psikoterapiste.

Terapia ka për qëllim t'ju mësojë të notoni, dhe kur një person vuan nga ankthi, ndjehet sikur po mbytet dhe patjetër ka nevojë për ndihmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë