Një firmë që u skualifikua nga gara për rehabilitimin e një kanali vaditës në fshatin Bishqethëm dhe Bitaj, çoi në grackën e SPAK-ut kryebashkiakun e Lushnjës, e së bashku me të, drejtorin e ndërmarrjes dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Sipas dosjes që Gazetasi.al, disponon, drejtori Flamur Peqini, në kulmin e ankesave gjatë muajit shtator 2020, flet në telefon me një person me emrin Beni, i cili identifikohet si Arben Avduli, operatori që mori pjesë në prokurimin publik të sipërpërmendur dhe që pas humbjes, ankimoi procesin.
Skualfikimi i firmës në fjalë u komentua nga KVO-ja e Lushnjës me mungesë kapacitetesh, si automjetet, teksa në telefon, drejtori i ndërmarrjes e udhëzon që të vazhdojë me procedurën, pasi aty ka pasur një komision dhe se bashkë do mbeten miq.
Më tej, drejtori telefonon Ibrahim Lamin, një tjetër biznesmen, i cili është mik i zyrtarëve të bashkisë dhe e njofton se firmës në fjalë i ishte rrëzuar ankesa dhe se përgjigjjen do ia nisin me postë.
Në këtë rast, drejtori informon biznesmenin: “Ia rrëzuam atij, ia bëra gati, ia kopsita të gjithën dhe nesër do ia nis me postë”. Biznesmeni lutet: “Inshallah nuk e vonon më andej ai” dhe pikërisht këtu shton “me shefin jam unë për kafe”.
Në muajin shtator, teksa firma humbëse vijon betejën ankimuese dhe zyrtarët e bashkisë luten me njëri-tjetrin që ai mos ta çonte në APP, del në skenë kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe. Biseda zhvillohet në 24 shtator 2020 mes zyrtarit të lartë të pushtetit lokal dhe biznesmenit që e fitoi garën prej 24 milionë lekësh.
Aty thotë SPAK, kuptohet që mes tyre ka miqësi. SPAK evidenton bisedën e përgjuar, ku thuhet se Ibrahimi ka pirë kafe me B. .., se ai i ka thënë që bëjeni mbledhjen me Fatosin dhe se më pas Ibrahimi e ka përcjellë atë për në Parlament.
Në një rast, Tushe komunikon me biznesmenin, duke e pyetur “a nuk i the ndonjë fjalë Gazit, se kështu Fatosi ka një mik të vetin që don me e çu atje“. Në të njëjtën bisedë, kryebashkiaku bën me dije se të nesërmen e datës 24 shtator, ai do jetë në Tiranë, pasi ka provimin vajza dhe se do takohen.
Më pas, biznesmeni shfaqet i interesuar për provimin e vajzës së kryebashkiakut, që studion për mjekësi. Biznesmeni thotë “provimin e ka në orën 11”, kurse pala tjetër thotë “do i them unë, bëje dhe një kafe dhe ia japim pastaj”.
Në ditët në vazhdim, kryebashkiaku pi kafe me biznesmenin në një lokal të shtrenjtë në kryeqytet, ku raportet e vëzhgimit tregojnë se si Ibrahim Lani udhëzohet nga kryebashkiaku, duke e këshilluar të ndërhyjë tek të tretë me qëllim për të mbrojtur vendimmarrjen e autoritetit kontraktues, përsa i përket shpalljes fiture të kompanisë “Euro Alb shpk”, që është objekt hetimi i SPAK-ut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.