Drejtësia

Abuzoi me tenderin, shkon në gjykatë dosja për ish-kryebashkiakun e Lushnjës Fatos Tushe

SPAK ka mbyllur hetimet për ish-kryetarin e Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe dhe zyrtarët e tjerë të këtij institucioni, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderë.

Prokuroria ka dërguar dosjen në gjykatë dhe u ka komunikuar akuzat zyrtare, ish-kryebashkiakut Tushe, Flamur Peqinit, Xhemal Haskos, Blerta Turukut, Ani Simonit, Andri Mushajt, Margarita Gjermenit, Bujar Muratit, Ibrahim Lamit, Xhemal Haskos dhe Gazment Çelës.

Mbi Tushen rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, pasi rezulton të jetë i përfshirë në një tender abuziv me fond rreth 24 milionë lekët për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj.

Tushe u arrestua në 6 korrik të këtij viti dhe u shkarkua pa dia ditësh si kryebashkiak i Lushnjës me vendim të qeverisë, pasi u vu nën hetim nga GJKKO për korrupsion.

Ai ndodhet në burg prej disa muajsh, edhe pse ka tentuar disa herë të marrë lirinë nga GJKKO, për shkak se sipas tij ka probleme shëndetësore.

Sipas SPAK, ndonëse fituese u shpall kompania ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqej shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i ish kryebashkiakut.

Një tjetër episod  kundër ish kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë, sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”.

Ish-kryebashkiaku ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti.

Po ashtu, dyshohet se ai ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll. Fatos Tushe u shkarkua nga detyra nga një vendim i Këshillit të Ministrave pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë.

Para dy ditësh, Tushe, ka hequr dorë nga kërkesa në Gjykatën Kushtetuese pas ankimimit për shkarkimin nga detyra që iu bë me vendim qeverie.

Personat në hetim

-Fatos Tushe, kryetar i bashkisë Lushnje, i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Shpërdorim detyre" në bashkëpunim;

-Flamur Peqini, Drejtor i Ndërmmarjes së Pasurisë publike në bashkinë Lushnje i dyshuar për  kryerjen e veprës penale "Shpërdorim detyre" në bashkëpunim, "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike" kryer në bashkëpunim;

-Ibrahim Lami, administrator i kompanisë Loti shpk, i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Falsifikim i dokumenteve" kryer në bashkëpunim;

-Bujar Murati, administrator i kompanisë Euro Alb shpk, i dyshuar për kryerjen e veprëës penale "Falsifikim i dokumenteve" kryer në bashkëpunim;

-Gazment Çela, zyrtar i ndërmarrjes së pasurisë Publike në bashkinë e Lushnjës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale , "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike" kryer në bashkëpunim;

-Bektash Nexha, zyrtar i ndërmarrjes së pasurisë publike në bashkinë Lushnjë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale , "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike" kryer në bashkëpunim;

-Blerta Turku, zyrtare e ndërmarrjes së pasurisë publike në bashkinë Lushnjë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale , "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike" kryer në bashkëpunim.

-Xhemal Hasko, zyrtar i ndërmarrjes së pasurisë publike në bashkinë Lushnjë,i dyshuar për kryerjen e veprës penale , "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike" kryer në bashkëpunim;

-Margarita Gjermeni, zyrtare e ndërmarrjes së pasurisë publike në bashkinë Lushnjë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale , "Shkeljes së brazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike" kryer në bashkëpunim.

-Andri Musho, zyrtar i ndërmarrjes së pasurisë publike në bashkinë Lushnjë,i dyshuar për kryerjen e veprës penale , "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike" kryer në bashkëpunim;

-Ani Simoni, zyrtar i ndërmarrjes së pasurisë publike në bashkinë Lushnjë,i dyshuar për kryerjen e veprës penale , "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike" kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë