Ekonomi

Me modelin e ekonomisë që kemi, rimëkëmbja i kalon kufijtë e fantazisë

Elvin Meka Dekan dhe kreu i Departamentit të Financës në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës në një intervistë për gazetën “Si” tregon pikpamjen e tij për borxhin e shtetit, që sipas planifikimit në ndryshimet që iu bënë buxhetit për herë të tretë si pasojë e situatës që shkaktoi pandemia, parashikohet në nivelin mbi 80% të PBB-së.

Ai mendon se nuk duhet parë me alarm rritja e borxhit, por duhet luftuar përmes reformave dhe politikave që të ketë një rritje ekonomike pozitive që të tejkalojë shërbimin e borxhit.

Ai sugjeron që qeverria të emetojë instrumente me afate sa më të gjata maturimi, duke “fiksuar” koston e shërbimit të kësaj pjese të borxhit për një kohë të gjatë dhe shmangur rrezikun  e rifinancimit.

Për rimëkmëbjen ekonomike pas dy valëve të forta që e goditën atë; tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia COVID-19,  Meka mendon se ekonomia do të rimodelohet, këtë herë “me forcë”, për t’ju përshtatur sfidave të reja dhe të panjohurave të mëdha që janë përpara.

Çfarë do të thotë një nivel borxhi mbi 80% për ekonominë shqiptare dhe në sitautën ku ndodhemi?

Elvin Meka, Dekan në UET

Një borxh publik në këtë nivel (80%), sigurisht që fillon dhe peshon në financat publike dhe në ekonomi, pasi barra e shërbimit të tij fillon dhe rritet, përveç faktit që fillon dhe shihet me një tjetër sy nga investuesit institucionalë, vendas ose të huaj, të cilët do të fillojnë të kërkojnë më shumë mbulim për rrezikun e investimit në të.

A duhet parë me frikë?

Meqenëse nuk ka një shifër të artë ose shkencore për nivelin e borxhit publik, duhet parë jo me frikë, por me kujdes, në drejtim të administrimit të tij sa më optimal. Sfida në rastin e ekonomisë shqiptare qëndron në faktin se sa vitale do të mund të jetë ajo, sidomos në situatat aktuale komplekse që po kalojmë, jo vetëm ne por gjithë bota, që të mund të jetë e aftë të gjenerojë një rritje pozitive ekonomike, e cila të mund të tejkalojë koston totale të shërbimit të borxhit. Nëse rritja ekonomike (në terma absolutë) nuk arrin të mbulojë minimalisht koston e borxhit, atëherë borxhi fillon e rëndon mbi ekonominë dhe vet financat publike. Pra ajo që duhet pasur kujdes dhe përqendruar të gjitha energjitë nuk është debati shterpë mbi nivelin e borxhit 70 ose 80%, ose dhe 100% të PPB-së, por aftësia, kapaciteti dhe angazhimi politik për të futur ekonominë në rritje pozitive që tejkalon koston e shërbimit të borxhit.

Në kushtet aktuale a mund të sigurohet një kosto e ulët e borxhit dhe si duhet vepruar?

Nga ana tjetër, duhet pranuar se, në kushtet aktuale mund të sigurohet një kosto relativisht e ulët e borxhit, por duhet bërë kujdes për të mos u treguar optimist, pasi situata të tilla nuk zgjasin përgjithnjë, por borxhi publik është aty përgjithnjë, pasi si rregull ai nuk shlyhet, por vetëm akumulohet dhe shtohet.

Gjithashtu, në kushtet globale kur investuesit institucionalë janë shumë të etur e të uritur për kthime dhe të ardhura pozitive, në kushtet e normave shumë të ulëta ose negative të interesit, blerja e titujve të borxhit qeveritar shqiptar edhe me nivele të ulëta kuponi, është në përfitim të dyanshëm: qeveria shqiptare financon borxhin me kosto të ulëta shërbimi dhe me afate më të gjata maturimi, investuesit kanë kthim pozitiv. Për më tepër, edhe në tregun e brendshëm ka shumë kapacitete të lira financimi, të cilat ende mund të konsiderojnë blerjen e titujve qeveritarë. Këtu “fati”  i qeverisë është që ka shansin më të mirë për të emetuar instrumente me afate sa më të gjata maturimi, duke “fiksuar” koston e shërbimit të kësaj pjese të borxhit për një kohë të gjatë dhe shmangur rrezikun  e rifinancimit.

Si e mendon rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit?

Për sa i përket Rimëkëmbjes, ajo do jetë e vështirë dhe komplekse, jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë botën, pasi ende nuk ka një model të qartë, apo hartë rruge se si do të dilet nga kjo situatë, apo si do të ecë ekonomia në kushtet e “normales së re”!

Në mënyrë të pashmangshme ekonomia do të rimodelohet, këtë herë “me forcë”, për t’ju përshtatur sfidave të reja dhe të panjohurave të mëdha që janë përpara. Me modelin aktual të shërbimeve pa shërbime dhe larg prodhimit dhe industrive, rimëkëmbja jo vetëm do jetë e pamundur, por do jetë në kufijtë e fantazisë!

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë