Kombetarja

Mavraj në stol, Balaj në majë të sulmit

Pas asaj disfate të rëndë në ndeshjen me Skocinë, Kombëtarja luan në stadiumin “Elbasan Arena” miqësoren me Uellsin, që është një mundësi e mirë për të larguar sadopak atë shije të hidhur. Trajneri Kristian Panuçi ka pohuar në konferencë shtypi se do të ndryshojë strategjinë, pasi idetë e tij për një futboll sulmues nuk kanë funksionuar deri tani. Kjo do të thotë se Shqipëria do të kthehet si në kohën e De Biazit, e prirur së pari të mbrohet mirë dhe më pas të godasë me kundërsulm.  

Trajneri italian është i kufizuar në zgjedhjet e formacionit ndaj Uellsit, pasi shumë lojtarë kanë lënë grumbullimin për shkak dëmtimesh. Problematik është krahu i majtë i mbrojtjes, sepse nuk ka asnjë lojtar natyral të këtij roli. Lenjani u largua para ndeshjes me Skocinë, kurse Binaku pas saj. Me shumë mundësi, Panuçi do të aktivizojë në këtë pozicion Veselin, i cili ka luajtur në të majtë të mbrojtjes me Empolin në Serinë A. Në mbrojtje kthehet Elseid Hysaj, që mungoi me Skocinë për shkak kartonësh, kurse dyshja e qendrës do të përbëhet nga të rinjtë Ismajli dhe Dermaku. Kjo miqësore do të ishte një test shumë i mirë për këta dy lojtarë të rinj, ndaj dhe pritet që kapiteni Mavraj ta nisë nga stoli. Në portë do të jetë Strakosha.

Formacioni i mundshëm ndaj Uellsit

I sigurt është edhe rikthim i Bashës në formacion, mesfushorit veteran që nuk luajti me Skocinë, pasi edhe ai ishte i skualifikuar. Kaçe do të jetë në fushë nga minuta e parë në qendër të mesfushës. Korçari u ndërrua në ndeshjen me Skocinë sapo Mavraj u ndëshkua me karton të kuq dhe është më i freskët fizikisht. Treshja e qendrës do të plotësohet nga Memushaj, duke bërë që në stol të qëndrojë Taulant Xhaka.

Në krahët e sulmit do të jenë përsëri Uzuni dhe Grezda, ndërsa në majë të këtij reparti do të jetë Balaj. Trajneri Panuçi kishte menduar ta aktivizonte shkodranin titullar në këtë miqësore, ndërkohë që largimi i Manajt për shkak të një gjendjeje gripale e bën të sigurt këtë zgjedhje. Në pjesën e dytë pritet të ketë minuta edhe për të riun Vrioni. Përveç këtij të fundit, në stol do të jenë Berisha, Mavraj, Xhaka, Lilaj, Gavazaj, Lila, Kaja dhe Ademi. Pas ndeshjes me Skocinë u larguan nga grumbullimi Gjimshiti, Ndoj, Binaku dhe Manaj, të gjithë për arsye shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë