Futboll

Me laps në dorë për Europën, Partizani për vete dhe…Tiranën

Shtatë javë para fundit të kampionatit, Partizani kryeson me 12 pikë diferencë nga Kukësi i vendit të dytë. Titulli është në “kasafortë”, por kuptohet që të kuqtë duan ta sigurojnë atë sa më parë edhe matematikisht. Për javën e 30-të luajnë në Fushë-Krujë, në fortesën e Kastriotit që ka ende shpresa për qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar. Humbja në Korçë i ka goditur jo pak krutanët, pasi kanë mbetur 6 pikë larg Tiranës, megjithatë nuk janë dorëzuar. Mbetet për t’u parë impenjimi i Partizanit në këtë ndeshje, nëse do ta marrë lehtë, nisur nga diferenca e madhe e pikëve me rivalin e tij, apo do të jetë agresiv për të synuar fitoren. Trajneri Skënder Gega ka siguruar variantin e dytë dhe nëse Partizani fiton, indirekt i bën një nder edhe Tiranës, që rivalizon me Kastriotin për qëndrimin në Superiore.

Një sfidë tjetër mbijetesë-titull është ajo mes Tiranës dhe Kukësit, që zhvillohet në “Selman Stërmasi”. Tirana është shumë më e qetë pas fitores në Durrës dhe në shtëpinë e saj duhet doemos të marrë pikë, por përballë ka Kukësin, me shanse matematikore për titullin, por edhe me vendin e dytë të rrezikuar nga Flamurtari, që ndodhet vetëm një pikë larg. Pritet një sfidë e luftuar, megjithëse mund të ketë ndikim rezultati i ndeshjes Kastrioti-Partizani, që luhet pak orë më parë.

Nga një ndeshje mes Partizanit dhe Kastriotit në këtë kampionat

Laçi-Skënderbeu është një sfidë direkte për Ligën e Europës, gjithmonë nëse korçarët do të fitojnë të drejtën të marrin pjesë në Kupat e Europës. Laçi vjen pas dy humbjeve radhazi dhe nuk i falet një tjetër gabim, aq më tepër në fushën e tij. Teuta i ka 3 pikët të fituara, sepse duhej të luante me Kamzën e përjashtuar, ndërsa Flamurtari, skuadra më në formë e momentit, pret Luftëtarin në Vlorë dhe gjasat janë për një fitore të radhës. Gara për një vend në Kupat e Europës është bërë shumë e komplikuar dhe çdo ekip luan shanset e veta, me laps në dorë. Llogaritë do të thjeshtohen javë pas jave, por është shumë e qartë se çdo hap fals ka një kosto të lartë në këtë fazë finale të kampionatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë