Editorial

Me kë është Presidenti?

Ora 19:42.

Përpara Kryeministrisë është duke folur Lulzim Basha, por më shumë se fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike, vëmendjen për rreth një orë e kishte marrë sulmi më molotov, zjarr, fishekzjarre, tymuese dhe bojë ndaj Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit. Deri në këtë moment kishim disa policë të plagosur dhe të paktën një protestues. Pikërisht në këtë moment vjen edhe reagimi i parë i Presidentit të Republikës.

"Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkon të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve".

Ora 21:37.

Turma e protestuesve ka lënë pas Kryeministrinë dhe ka rrethuar selinë e Kuvendit, ku një furi piroteknike me koktejle molotov, fishekzjarre të rrezikshëm, gurë, shashka e tymuese është derdhur ndaj forcave të ndërhyrjes së shpejtë, ndërkohë që këta të fundit janë përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës. Në këtë moment vjen edhe reagimi i dytë i Presidentit të Republikës.

"Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta u bën sërish thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunshme dhe nga individët, të cilët rrezikojnë policët".

Ora 21:45.

 Vetëm pak minuta pas reagimit të Presidentit të Republikës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dënon dhunën e ushtruar dhe i tregon drejtuesve të opozitës të mbajnë përgjegjësi për të.

"Ambasada e SHBA dënon dhunën e pranishme gjatë protestës së sotme. Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit. Dhuna është thelbësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi. Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje".

Ora 22:35.

 Ajo që ka ndodhur ndërkohë është arrestimi i sekretarit organizativ të Partisë Demokratike, Sait Dollapi, me maskë kundragaz, shpërndarja me makinë uji dhe me gaz e protestës përpara Kuvendit, dhe vazhdimi i guerriljes te Drejtoria e Policisë së Tiranës pas thirrjes së liderit të opozitës Lulzim Basha për të shkuar atje dhe kërkuar lirimin e Dollapit. Në këtë moment vjen reagimi i tretë i Presidentit të Republikës.

"I bëj thirrje sërish të gjithë individëve që të distancohen nga aktet e dhunës dhe Policisë së Shtetit të ruajë qetësinë dhe të evitojë përdorimin e panevojshëm të dhunës ndaj protestuesve".

Ora 22:39.

Kryeministri Edi Rama në reagimin e tij shkruan:

"Respekt për trupat e Policisë së Shtetit që me profesionalizmin e tyre nderuan uniformën e shtetit përballë një turme të udhëhequr nga dëshpërimi i politikës qorre?Shërim të shpejtë për policët e plagosur dhe ndëshkim për dhunuesit e tyre e për zjarrvënësit e institucioneve"

Ora 23:06.

Policia ka shpërndarë sërish turmën e opozitës që ka vijuar ritualin me shashka e fishekzjarrë përpara drejtorisë së policisë. Në këtë moment vjen edhe reagimi i katërt i Presidentit të Republikës.

"Situata para Drejtorisë së Policisë është absurde. Sahit Dollapi duhet të shoqërohet për në spital për të marrë ndihmën e parë për lëndimet dhe jo të mbahet në polici".

Ora 23:20.

 Pak minuta pas reagimit të katërt të Presidentit ka ardhur edhe reagimi i Prezencës së OSBE-së në Tiranë.

“Organizatorët e protestës së mbrëmjes të sotme duhet të mbajnë përgjegjësinë politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre. Mendimet tona shkojnë me familjet e të plagosurve. OSBE-ja do të vijojë të nxisë opozitarizmin efikas dhe dialogun në Shqipëri. Por ne i dënojmë plotësisht ata që përpiqen të përdorin dhunën si një rrugë të shkurtër politike; ata do të dështojnë”, thuhet në reagimin e OSBE-së.

Ndërsa, më parë kishte reaguar edhe ambasadori britanik në Tiranë. “Ne i nxisim të gjithë që të tregojnë respekt për sundimin e ligjit gjatë protestës së kësaj mbrëmjeje. Kjo është koha për qetësinë, përmbajtjen dhe demonstrate paqësore”, thuhet në reagimin e Norman.

Ora 23:34.

"Dhuna shtazarake e përdorur ndaj sekretarit organizativ të PD z. Sait Dollapi dhe znj. Albana Vokshi tregon qartë frikën dhe tmerrin që ka zënë këtë qeveri të inkriminuar. Asnjë deklaratë e blerë apo e sponsorizuar me paratë e drogës nuk e mbulon dot këtë krim që po ushtrohet ndaj çdo qytetari të Tiranes, pjesëmarrës në protestë apo jo.
Përgjegjësit dhe ushtruesit e kësaj dhune shtetërore, me frymëzimin dhe nën urdhrat e Edi Ramës dhe bandës së tij, do të mbajë përgjegjësi deri në fund.
As dhuna fizike, as gazi helmues, as deklaratat e sponsorizuara në mbrojtje të saj nuk mund të mposhtë qëndresën e qytetarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për një Shqipëri demokratike dhe evropiane.
Asnjë hap pas!"

Ky ka qenë reagimi i Monika Kryemadhit, kryetares së LSI-së dhe bashkëshortes së Presidentit të Republikës.

Në fund të protestës, do të kemi të paktën 15 efektivë të policisë të plagosur, 6 protestues dhe sekretarin organizativ të PD-së të shoqëruar në Drejtorinë e Policisë. Për qeverinë, një turmë e udhëhequr nga politika qorre ka dhunuar institucionet dhe forcat e policisë.

Për Partinë Demokratike dhe LSI policia ka dhunuar protestuesit dhe ka arrestuar e dhunuar në mënyrë të jashtëligjshme sekretarin organizativ të PD-së, për ambasadat kryesore dhuna e ushtruar nga opozita është e papranueshme dhe organizatorët mbajnë përgjegjësi për dhunën, ndërsa për Presidentin e Republikës situata e krijuar është absurde dhe sekretari organizativ i PD-së duhet të shoqërohej në spital dhe jo të mbahej i izoluar në polici. 

Si gjithmonë, në fund policët i vizitoi Ministri i Brendshëm ndërsa  protestuesit i vizituan deputetët e PD-së.

Presidenti, edhe pse është kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, policët nuk i pa e as i përgëzoi se mbrojtën institucionet. 

Risia e protestës së të shtunës është konfirmimi përfundimtar se Presidenti i Republikës, jo vetëm për shkak të marrëdhënies së ftohtë me qeverinë, jo vetëm, por edhe për shkak të lidhjes familjare me opozitën, nuk ka asnjë shans të ulë palët në një tryezë. Një rol, të cilin ai nuk është se e kishte marrë më parë, të cilin edhe vetë e dinte që ndoshta nuk mund ta bënte, por ndërsa shumë zëra ia kërkonin, formalisht kishte një farë pritshmërie për ndonjë hap të mundshëm të kryetarit të shtetit, për sa kohë faktori ndërkombëtar, si asnjëherë më parë po tregon hapur indiferencën për të qenë arbitër, madje duke u rreshtuar me mazhorancën në jo pak raste. Prandaj pyetja që mund të ishte ende pa një përgjigje të qartë deri dje  se me kë ishte  Presidenti i Republikës, të shtunën në mbrëmje ka marrë përgjigje.

Bordi Editorial


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë