Kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj gjatë një komunikimi me median dha detaje për dy raste të vjedhjes nga ATM me karta të klonuara.
I parë lidhet me operacionin e koduar “Goldish Axe”, gjatë të cilit u dokumentua ligjërisht veprimtaria kriminale e 3 shtetasve rumunë, të cilët kanë arritur të vjedhin para nga ATM-të në Tiranë.
“Me anë të prodhimit të kartave të kreditit të klonuara, kartave të kreditit të vjedhura dhe duke dëmtuar bankomatë të ndryshëm, për të ndërhyrë më pas në sistemet e tyre kompjuterike, kanë vjedhur shuma të ndryshme monetare, në institucione të ndryshme financiare që operojnë në qytetin e Tiranës” tha Vocaj.
Gjatë hetimeve të këtij operacioni policor, janë zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore 4 vjedhje të kësaj natyre dhe 2 të tjera të mbetura në tentativë.
Vocaj sqaroi se policia shqiptare po bashkëpunon me Interpolin për të realizuar kapjen e këtyre shtetasve.
Rasti i dytë është thuajse i ngjashëm, pasi në kuadër të operacionit “Virtual shade”, është ndaluar 25-vjeçari Lorent Granica, me shtetësi franceze, i cili gjatë qëndrimit në Tiranë, nëpërmjet kartave virtuale bankare të vjedhura në shtete të ndryshme të Europës, ka kryer pagesa të ndryshme në institucione financiare që operojnë në vendin tonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.