Ngjarje

Me kapele dhe çantë shpine, zbulohet autori i dyshuar i plagosjes së Ardit Kërtushës

Gazeta Si - Plagosja e Ardit Kërtushës një ditë më parë, e raportuar nga policia si një ngjarje për motive të dobëta, duket se ka qenë një atentat.

Ish-kandidati për kreun e PS në Durrës, ka mohuar që të ketë pasur konflikte me autorin.

Në dëshminë e tij, ai ka thënë se nuk e njihte dhe se ai ka tentuar ta vrasë.

Kërtusha u shpreh se autori ka pasur dy pistoleta dhe ka qëlluar ndaj tij, por arma iu bllokua dhe ai mundi të largohet.

31-vjeçari tregon se autori e ka ndjekur, pasi e kishte qëlluar në këmbë duke e lënë të plagosur.

Në foton e siguruar nga Gazetasi.al, kamerat e sigurisë kanë fiksuar autorin e dyshuar pak para atentatit.

Ai shihet duke ecur në rrugë i shpenguar, me pantallona të shkurta, atlete sportive, një t-shirt të kuq, çantë shpine dhe kufje në vesh.

Ish-kandidati për kreun e PS po qëndronte në ambietet e një lokali, ku një person i është afruar në tavolinën e tij, duke hapur menjëherë zjarr.

Kërtusha ka hedhur edhe akuza ndaj Policisë së Durrësit, duke thënë se tentoi të mjegullonte ngjarjen.

Ardit Kërtusha, i cili ka qenë edhe kryetar i Forumit Euro-Socialist Shqiptar, tha se “policia nxitoi duke shpërndarë një tymnajë për dinamikën e ngjarjes”.

Plagosja ndodhi në lokalin e një reperi të njohur në zonën e Plazhit në Durrës, ndërsa autori ishte i maskuar edhe me një mbrojtëse anti-Covid.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë