Politike

Më 27 nëntor “shkrihen” dy Parlamentet, Xhaçka në Prishtinë: Vlerësojmë paktin për targat

Të dielën më 27 nëntor do të mbahet për herë të parë në Tiranë, mbledhja mes dy parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë. Një nismë e ngjashme me atë të mbledhjes së dy qeverive të të dy shteteve të njëjtit komb. Pikërisht për t’i paraprirë çështjes së takimeve mes dy Parlamenteve dhe për ecurinë e mëtejshme në finalizimin e marrëveshjeve mes dy qeverive, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ishte sot në Prishtinë.

Takimin e parë e zhvilloi me homologen e saj, Gërvalla, më pas u prit nga presidenti dhe kryeparlamentari i Kosovës.

Në konferencën për shtyp, Xhaçka u shpreh se “110 vjet më vonë, ne kemi një situatë të transformuar rrënjësisht të shqiptarëve në rajonin tonë. Kemi Shqipërinë e Kosovën, por kemi edhe një progres të jashtëzakonshëm të shqiptarëve kudo në rajon, për sa i përket të drejtave të tyre. Shqiptarët sot janë një faktor i rëndësishëm stabiliteti, garantë të paqes e stabilitetit në rajon dhe të perspektivës euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor”.

Kryediplomatja shqiptare ka lerësuar arritjen e një marrëveshje sa i përket çështjes së targave me Serbinë.

“Por padyshim, çështja më e rëndësishme në këtë kontekst, është mbështetja e Dialogut Kosovë – Serbi dhe arritja eventuale e një marrëveshje të detyrueshme ligjore, që sjell njohjen e ndërsjelltë mes dy vendeve dhe i hap rrugë anëtarësimit në Kosovës në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Arritja e kësaj marrëveshje është padyshim një domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë rajonin.  Unë dua të përgëzoj edhe publikisht Qeverinë e Kosovës për arritjen e marrëveshjes para dy ditësh, që jo vetëm ndihmon në uljen e tensioneve, por edhe krijon kushte shumë më të përshtatshme për t’u fokusuar me urgjencë, me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e aleatëve tanë europianë dhe amerikanë, tek arritja e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. E padyshim me mbështetjen e pakufizuar të Shqipërisë në çdo hap të këtij procesi”, tha Xhaçka.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave po i pikëllon jo vetëm shqiptarët në Kosovë, por edhe vëllezërit e tyre në Shqipëri.Xhaçka tha se izolimi që i është bërë Kosovës duke mohuar liberalizimin e vizave është më shumë se i padrejtë.

Sipas saj, nuk ka asnjë justifikim për të zvarritur më tej çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Nuk ka asnjë justifikim për të zvarritur më tej këtë çështje dhe për ta mbajtur pezull këtë situatë që do të thosha është absurde. Dua ta garantoj Donikën, motrën time ashtu si dhe publikun e Kosovës që Shqipëria do të bëjë gjithmonë çdo gjë që ka në dorë për ta mbështetur Kosovën”, theksoi Xhaçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë