Pas mbylljes së të gjitha shkollave, kopshteve dhe çerdheve nga qeveria si masë parandaluese ndaj koronavirusit, do t’i jepet pushim nga data 10 deri më 23 mars edhe njërit nga prindërit, që kanë fëmijë të vegjël në shtëpi.
Qeveria ka gati vendimin për pushimin e njërit prej prindërve, në mënyrë që të kujdesen për fëmijët, që nuk do të shkojnë në shkolla, kopshte e çerdhe, pas mbërritjes së koronavirusit në Shqipëri.
“Këshilli i Ministrave vendosi caktimin e datave 10 deri më 23 mars ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin bazë dhe arsimin parashkollor”, thuhet në vendim.
Ndër të tjera thuhet se ky vendim duhet zbatuar edhe nga punëdhënësit privatë në vend.
“Për shkak të mbylljes së çerdheve dhe institucioneve arsimore, në funksion të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19, iu bëjmë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre, sipas pikës 1, të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e qeverisë, që mban firmën e kryeministrit Edi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




